SHBA: Raporti i lirise se Fese 2005, Shqiperia nuk ka fe zyrtare por fe te barabarta
Albeu.com
"Shqiperia nuk ka fe zyrtare por fe te barabarta". Keshtu ka vleresuar ne nje raport te SHBA per lirine e fese ne Shqiperi ku thuhet se Kushtetuta shqiptare siguron lirinë e fesë dhe Qeveria në përgjithësi e respekton këtë të drejtë në praktikë.“Sipas Kushtetutës së vitit 1998, nuk ka ndonjë fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta; megjithatë, bashkësitë fetare mbizotëruese (myslimane sunite, bektashiane, ortodokse dhe katolike romake) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (p.sh., festat kombëtare) dhe statusi shoqëror bazuar në praninë e tyre historike në vend”, behet e ditur ne raport


Po ashtu ky raport thote se nuk pati ndonjë ndryshim në gjendjen e respektit për lirinë e fesë gjatë periudhës që mbulohet nga ky raport, dhe politika e qeverisë vazhdoi të kontribuonte për praktikimin përgjithësisht të lirë të fesë.


“Marrëdhënia përgjithësisht miqësore midis feve në shoqëri kontribuoi për lirinë fetare”, citohet ne raportin e SHBA-se.


“Qeveria e Sh.B.A. i diskuton çështjet e lirisë fetare me Qeverinë si pjesë e politikës së saj të gjithanshme për të promovuar të drejtat e njeriut”.


Raporti i plote i qeverise se SHBA 2005 per lirine e fese ne Shqiperi


Seksioni I. Demografia Fetare


Vendi ka një sipërfaqe totale prej 11,100 miljesh katrore dhe popullsia e tij është përafërsisht 3,144,058 banorë. Ka një popullsi etnike kryesisht homogjene të përbërë nga gegët në veri dhe toskët në jug. Bashkësitë etnike greke, që përbëjnë pakicën më të madhe në vend, janë të vendosura në pjesën jugore të vendit. Pakica të tjera të vogla përfshijnë romët, bashkësinë egjiptiane (një grup etnik i ngjashëm me romët, por që nuk flet gjuhën rome), vllehët dhe maqedonët.


Shumica e shtetasve janë shekullarë në orientim pas dhjetëvjeçarësh ateizmi të zbatuar fort nën regjimin komunist, i cili mori fund në vitin 1990. Pavarësisht nga ky shekullarizëm, shumica e shtetasve zakonisht e identifikojnë veten me një grup fetar. Shtetasit me origjinë myslimane përbëjnë grupin më të madh fetar tradicional (vlerësohet të përbëjë 65 deri në 70 përqind të popullsisë) dhe janë të ndarë në dy bashkësi: ata, që identifikohen me një formë të moderuar të islamizmit sunit, dhe ata, që identifikohen me shkollën bektashiane (një formë veçanërisht liberale e sufizmit shiit). Së fundmi, bashkesia myslimane, e njohur si Komuniteti Mysliman Shqiptar, ka rifilluar të përdorë emrin e vet historik Komuniteti Islam Shqiptar. Në vitin 1925, pas revolucionit të Ataturkut dhe dëbimit të bektashinjve nga Turqia, vendi u bë qendra botërore e bektashizmit, megjithëse nuk është njohur si i tillë nga qeveria. Bektashinjtë vlerësohet se përfaqësojnë afërsisht një të katërtën e popullsisë myslimane të vendit.


Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë (referuar si Ortodokse) dhe Kisha Katolike Romake janë dy bashkësitë e tjera të mëdha. Vlerësohet që 20 deri 25 përqind e popullsisë u përket bashkësive, që janë tradicionalisht ortodokse shqiptare, dhe afërsisht 10 përqind janë katolikë romakë. Kisha Ortodokse u bë e pavarur nga autoriteti i Kostandinopojës në vitin 1929, por nuk u njoh si autoqefale (e pavarur) deri në vitin 1937. Në statutin e Kishës së vitit 1954 thuhet se të gjithë kryepeshkopët e saj duhet të kenë nënshtetësi shqiptare; megjithatë, kryepeshkopi i tanishëm është nënshtetas grek, i cili është ende duke kërkuar nënshtetësinë shqiptare.


Myslimanët janë të përhapur anembanë vendit, por janë përqëndruar kryesisht në pjesën qendrore të vendit dhe më pak në jug. Ortodoksët banojnë kryesisht në jug dhe katolikët në veriun e vendit; megjithatë, kjo ndarje nuk është e prerë, veçanërisht në rastin e shumë qendrave urbane, të cilat përbëhen nga popullsi të përziera. Pakica greke, e përqendruar në jug, është pothuaj e tëra pjesë e Kishës Ortodokse. Nuk ka të dhëna të disponueshme lidhur me pjesëmarrjen aktive në shërbesat fetare formale, por vlerësohet se 30 deri në 40 përqind e popullsisë praktikon një fe. Përfaqësues të huaj fetarë, përfshi klerikë myslimanë, misionarë kristianë dhe Baha’i, anëtarë të Dëshmitarëve të Jehovait, anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtëve të Ditës së Pasme (Mormonët), dhe shumë të tjerë kryejnë lirisht veprimtari fetare.


 Sipas Komitetit Shtetëror të Kulteve, gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport, pati rreth 17 shoqata dhe grupe të ndryshme myslimane, të cilat vepronin në vend; disa prej këtyre grupeve ishin të huaja. Kishte 30 shoqata kristiane, pa përfshirë këtu grupe evangjeliste, që përfaqësonin më shumë se 74 organizata të ndryshme. Gjithashtu, ka edhe 571 misionarë kristianë, Baha’i dhe të Dëshmitarëve të Jehovait, dhe 379 misionarë katolikë dhe 115 misionarë myslimanë. Grupet më të mëdha misionare të huaja ishin amerikane, britanike, italiane, greke dhe arabe.


 


Seksioni II.  Gjendja e lirisë fetare


Kuadri ligjor i politikave


Kushtetuta siguron lirinë e fesë dhe qeveria përgjithësisht e respekton këtë të drejtë në praktikë. Sipas Kushtetutës së vitit 1998, nuk ka ndonjë fe zyrtare dhe të gjitha fetë janë të barabarta; megjithatë, bashkësitë fetare mbizotëruese (myslimane sunite, bektashiane, ortodokse dhe katolike romake) gëzojnë një shkallë më të madhe njohjeje zyrtare (p.sh., festat kombëtare) dhe statusi shoqëror bazuar në praninë e tyre historike në vend. Të gjitha grupet e regjistruara fetare kanë të drejtën të mbajnë llogari bankare dhe të zotërojnë prona dhe ndërtesa. Festat zyrtare përfshijnë ditë të shenjta fetare nga të katra besimet mbizotëruese. Lëvizje fetare mund të marrin statusin zyrtar personit juridik duke u regjistruar në Gjykatën e Rrethit Tiranë sipas Ligjit për Organizatat Jofitimprurëse, i cili njeh statusin e shoqatës jofitimprurëse qoftë kjo me karakter kulturor, zbavitës, fetar apo humanitar. Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licensim të grupeve fetare; megjithatë, Komiteti Shtetëror i Kulteve mban të dhëna dhe statistika  mbi organizatat fetare të huaja, që e kontaktojnë atë për mbështetje. Asnjë grup nuk raportoi vështirësi në regjistrim gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport. Të gjitha bashkësitë fetare kanë kritikuar qeverinë për mungesë vullneti për t’u akorduar atyre status, që i përjashton nga taksat. Që nga viti 2003 misionarët e huaj fetarë janë përjashtuar nga taksa për lejen e qëndrimit.


Komiteti Shtetëror i Kulteve është ngarkuar me detyrën për rregullimin e marrëdhënieve midis qeverisë dhe të gjitha bashkësive fetare, të mëdha dhe të vogla. Kryetari i Komitetit ka statusin e një zëvendësministri dhe përgjigjet drejtpërdrejt përpara Kryeministrit. Komiteti njeh barazinë e bashkësive fetare dhe respekton pavarësinë e tyre. Komiteti punon për të mbrojtur lirinë e fesë dhe për të promovuar bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar. Komiteti deklaron që të dhënat e tij mbi organizatat fetare lehtësojnë dhënien e lejeve të qëndrimit nga policia për punonjësit e huaj të organizatave të ndryshme fetare. Asnjë organizatë nuk deklaroi se Komiteti nuk lehtësoi marrjen e lejeve të qëndrimit gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport.

Megjithatë, në të kaluarën, disa organizata të huaja fetare kanë pretenduar që angazhimi i Komitetit nuk e ka lehtësuar aksesin ndaj lejeve të qëndrimit. Asnjë organizatë nuk ngriti ndonjë pretendim të tillë gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport. Gjatë vitit 2004 Komiteti Shtetëror i Kulteve ndihmoi 1,084 të huaj për të marrë leje qëndrimi.


Nuk ka ndonjë ligj apo rregullore që t’i detyrojë organizatat fetare të njoftojnë Komitetin mbi veprimtaritë e tyre; megjithatë, Neni 10 i Kushtetutës kërkon marrëveshje të veçanta dypalëshe për të rregulluar marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësive fetare. Në periudhën e mbuluar nga ky raport qeveria hartoi marrëveshje të veçanta dypalëshe me katër bashkësitë fetare mbizotëruese (Myslimane Sunite, Bektashie, Ortodokse dhe Katolike Romake). Derimësot vetëm katolikët kanë lidhur marrëveshjen e tyre dypalëshe me qeverinë. Pritet që marrëveshjet e tjera dypalëshe të lidhen gjatë vitit 2005.


Gjithashtu, Komiteti Shtetëror i Kulteve përgatiti një projektligj mbi fene, i cili do t’i trajtonte të gjitha bashkësitë fetare sipas një standardi të përbashkët megjithatë, deri në fundin e periudhës së mbuluar nga ky raport, nuk ishte ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me këtë projektligj.


Në dhjetor 2004 Qeveria organizoi një samit rajonal me kryetarët e shteteve të Europës Juglindore për të promovuar dialogun ndëretnik dhe ndërfetar. Në mars 2005, në një ceremoni të organizuar nga grupi jofitimprurës “Fetë për paqen”, katër bashkësitë fetare mbizotëruese nënshkruan një deklaratë për përkushtim të përbashkët moral. Në kuadër të kësaj nisme, udhëheqësit fetarë u angazhuan të promovojnë tolerancë, bashkëekzistencë dhe respekt për besimet e tjera. Sipas shifrave zyrtare, në vend ekzistojnë 14 shkolla fetare me afërsisht 2,600 nxënës. Ministria e Arsimit ka të drejtën të miratojë programin e shkollave fetare për të siguruar përputhjen e tyre me standardet kombëtare të arsimit, dhe Komiteti Shtetëror i Kulteve mbikqyr zbatimin.


Në Janar 2005 u hap në Tiranë një universitet i ri Katolik Romak me 200 studentë, “Zonja e Këshillit të Mirë”. Gjithashtu, Qeveria shprehu përkushtimin e saj për të lejuar zhvillimin e një universiteti mysliman.


Ekzistojnë 85 qendra të formimit profesional me afërsisht 6,000 nxënës, që administrohen nga bashkësitë fetare. Disa organizata shprehën vështirësi për regjistrimin e shkollave fetare. Si rezultat, shkollat fetare apo qendrat e formimit profesional nën administrimin e bashkësive fetare ose vazhduan të veprojnë si shkolla fetare të paregjistruara, ose shndërruan programet e tyre në shekullare, ose u mbyllën. Qeveria raportoi mbylljen e disa shkollave sepse figuronin të paregjistruara ose kishin ndryshuar aktivitetet, për të cilat ishin regjistruar. Inspektimet e Ministrisë së Arsimit çuan në mbylljen e 12 shkollave dhe kopshteve fetare.


 


Kufizime të lirisë së fesë


Politika dhe praktika e qeverisë kontribuoi në praktikimin përgjithësisht të lirë të fesë. Qeveria është shekullare. Ministria e Arsimit siguron që shkollat publike në vend të jenë shekullare dhe ligji ndalon indoktrinimin ideologjik dhe fetar. Në shkollat publike nuk jepet mësim i fesë. Mbi familjet nuk imponohet ndonjë kufizim në lidhje me mënyrën sesi ato rrisin fëmijët e tyre në lidhje me praktikat fetare.


Në vitin 1967, qeveria komuniste ndaloi të gjitha praktikat fetare dhe shpronësoi pronat e bashkësive islamike, ortodokse, katolike dhe të tjera. Qeveria nuk i ka kthyer të gjitha pronat dhe objektet fetare nën kontrollin e saj, që qenë konfiskuar gjatë regjimit komunist. Në rastet, në të cilat ndërtesat fetare janë kthyer, qeveria shpesh nuk arriti të kthente tokën, që rrethon ndërtesat, nganjëherë për shkak të pretendimeve të rizhvillimit nga individë privatë, që filluan ta punonin tokën apo ta përdornin për qëllime të tjera. Qeveria nuk i ka burimet që të kompensojë bashkësitë në mënyrë adekuate për dëmtimet e gjera, që pësuan shumë prona fetare. Megjithëse ajo ka rikthyer disa prona të konfiskuara, përfshi një copë të madhe toke pranë sheshit qëndror të Tiranës, ku po ndërtohet një katedrale, Kisha Ortodokse ka pretenduar për vonesa në miratime vendore për ndërtimin e kishave dhe ndërtesave të tjera të lidhura me Kishën. Përveç kësaj, Kisha Ortodokse shprehet për mungesë veprimi në lidhje me një numër pretendimesh për prona të tjera në mbarë vendin si dhe për vështirësi për rikthimin e disa ikonave fetare për restaurim dhe ruajtje.


Edhe bashkësia katolike romake ka gjithashtu pretendime të pazgjidhura pronësie, por ishte në gjendje të bekonte një katedrale të re në qendrën e Tiranës në vitin 2002 mbi një tokë të ofruar nga qeveria si kompensim për të tjera toka konfiskuar gjatë epokës komuniste. Bashkësitë e myslimanëve sunitë dhe ajo bektashiane gjithashtu kanë kërkuar që qeveria të kthejë një numër pronash fetare, përfshi, në rastin e së parës, një pjesë të madhe toke, që ndodhet përballë ndërtesës së Parlamentit në qendrën e Tiranës, mbi të cilën dikur ngrihej një xhami. Megjithatë. Plani i Ri Rregullues Urban për Tiranën ka vënë mënjanë tokë për një xhami të re në një vendndodhje tjetër. Bashkësia Islamike nuk është në një mendje me këtë vendndodhje dhe as nuk ka marrë leje për të ndërtuar një xhami në vendin e miratuar. Edhe bashkësia bektashiane kërkon kompensim nga qeveria për viktimat e përndjekjes fetare gjatë regjimit komunist.


Në korrik 2004, Parlamenti miratoi një ligj të ri për kthimin dhe kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Sipas ligjit të ri, bashkësitë fetare kanë të njëjtat të drejta si edhe individët privatë në çështje të kthimit apo kompensimit të pronave. Megjithatë, bashkësitë fetare vënë në pikëpyetje kufizimet e ligjit për kthim të pronave deri në 150 akra. Qeveria nuk ka krijuar një fond monetar për kompensim.


Aleanca Evangjeliste Shqiptare, një shoqatë e afërsisht 98 kishave protestante anembanë vendit, pretendoi që kishte hasur pengesa për t’u shfaqur në media. Megjithatë, përfaqësues të Aleancës Evangjeliste deklaruan që nuk ishte e qartë nëse aksesi i kufizuar ishte për shkak të përmasave të vogla të organizatës apo prej përkatësisë së vet fetare. Bashkësia evangjeliste në rritje ka zgjeruar marrëdhënien e saj me institucionet e ndryshme publike të vendit të tilla si universitetet.


Në përgjigje të raportimeve në media se, për shkak të mesimeve të tyre, Dëshmitarët e Jehovait ishin përgjegjës për një seri vetëvrasjesh të disa të rinjve (shih Seksionin III), policia e shtetit deklaroi se të gjitha “sektet e dyshimta” në vend do të hetoheshin dhe kontrolloheshin. Në kohën e përgatitjes së këtij raporti, asnjë “sekt i dyshimtë” nuk është hetuar apo kontrolluar. Gjithashtu, Qeveria ndaloi shpërndarjen e literaturës fetare në “vende publike”. Qeveria nuk dha ndonjë përcaktim të “vendeve publike”, por mendohet që ky veprim ndalues t’u referohet shkollave publike dhe mjediseve qeveritare.


Në vend ka patur pak hebrenj para Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë hebrenj nga vende të tjera gjetën strehë në Shqipëri, por pothuaj të gjithë emigruan drejt Izraelit mbas vitit 1991. Besohet se janë më pak se 100 hebrenj të mbetur në vend, dhe nuk ka informacion për funksionim të sinagogave apo qendrave komunitare në vend.


Nuk pati raportime për të burgosur apo të ndaluar fetarë.


 


Konvertimi Fetar i Detyruar


Nuk pati raportime për konvertim fetar të detyruar, përfshi edhe të nënshtetasve minorenë amerikanë që të kishin qenë rrëmbyer apo larguar në mënyrë të jashtëligjshme nga Shtetet e Bashkuara, apo për refuzim për t’i lejuar nënshtetas të tillë që të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.


 


Abuzime nga Organizata Terroriste


Nuk pati abuzime të raportuara që të vinin në shënjestër fe të caktuara nga organizata terorriste gjatë periudhës së mbuluar nga ky raport.


 


Seksioni III.  Qëndrime shoqërore


Marrëdhënia përgjithësisht miqësore midis feve në shoqëri kontribuoi në lirinë fetare. Shoqëria është kryesisht shekullare. Ndërmartesat mes anëtarëve të feve të ndryshme janë jashtëzakonisht të zakonshme. Bashkësitë fetare krenohen me tolerancën dhe mirëkuptimin që mbizotëron midis tyre.


Në fillim të vitit 2005, disa elemente të mediave sulmuan në mënyrë të përsëritur bashkësinë e Dëshmitarëve të Jehovait, duke pretenduar ndikimin e tyre në një seri vetvrasjesh të disa të rinjve kohët e fundit. Këto akuzime çuan në një numër të rritur rastesh frikësimesh dhe kërcënimesh për dhunë ndaj Dëshmitarëve të Jehovait. Bashkësi të tjera fetare u shprehën për probleme të ngjashme mbas sulmeve të mediave kundër bashkësisë së Dëshmitarëve të Jehovait. Gjithashtu, media pretendoi se vdekja e dy burrave myslimanë ndërkohë që po pergatisnin eksplozivë ishte e lidhur me anëtarësinë e tyre në bashkësinë islamike.


Vazhdoi hetimi lidhur me vrasjen në vitin 2003 të Sali Tivarit, ish-sekretar i përgjithshëm i Komunitetit Islamik.


Përfaqësues të Kishës Ortodokse shprehën shqetësime se disa kisha, kryqe dhe ndërtesa të tjera ishin shënjestra të vandalizmit, ndonëse këto incidente ishin raste të izoluara dhe besohet të jenë rezultat i dobësive në mekanizmat për garantimin e rendit publik në vend dhe jo për shkak të intolerancës fetare.


Në qrshor 2004, Kastriot Myftari, autor i librit “Islamizmi Kombëtar Shqiptar” është deklaruar i pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat për nxitje të urrejtjes fetare.


Ndryshe nga vitet e kaluara, bashkësia bektashiane nuk përjetoi frikësime, kërcënime, vandalizëm ose dhunë.


Seksioni IV.   Politika e Qeverisë së SH.B.A.


Qeveria e Sh.B.A. i diskuton çështjet e lirisë fetare me qeverinë dhe si pjesë e politikës së saj të gjithanshme për promovimin e të drejtave të njeriut. Qeveria e Sh.B.A. ka përdorur shumë nisma për nxitjen e zhvillimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit ligjor në vend, si dhe për të çuar më tej lirinë dhe tolerancën fetare. Ambasada e Sh.B.A. vazhdon të nxisë qeverinë që të trajtojë pretendime të pazgjidhura për prona fetare dhe t’u kthejë tokat kulteve, që i humbën ato gjatë sundimit komunist. Zyrtarë të ambasadës, përfshi edhe Kreun e Misionit, takohen shpesh (si në vizita zyrtare formale ashtu edhe në veprimtari të tjera përfaqësuese) me krerët e bashkësive kryesore fetare në vend.


Ambasada ka qenë aktive për nxitjen e tolerances dhe sjelljeve të moderuara si një tipar dallues i shoqërisë. Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës u ka ofruar grante organizatave vendore për promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar dhe për të mbështetur mësimin e çështjeve qytetare dhe tolerancës fetare në shkollat e mesme, përfshi edhe shkollat e drejtuara nga organizata me bazë besimin. Megjithe traditën tolerante në çështje fetare, shoqëria është ekspozuar ndaj një numri ndikimesh të jashtme. Projekte, të cilat mbështesin mirëkuptimin ndërfetar dhe përforcojnë edukimin qytetar në shkollat fetare, ndihmojnë për të siguruar ruajtjen e traditës ndërkohë që forma të Islamit and Krishtërimit, që janë të reja për vendin, kërkojnë të hedhin rrënjë.


Në korrik 2004 një grup udhëheqësve fetarë mori pjesë në një program trejavor për Vizitorë Ndërkombëtarë për të parë nga afër natyrën e diversitetit fetar në SH.B.A., përfshi rolin edukues të institucioneve fetare dhe mekanizmat, nëpërmjet të cilëve bashkësitë fetare luajnë një rol pozitiv në një shoqëri civile plot gjallëri.


Nga shtatori 2004 deri në prill 2005, falë një granti të dhënë nga Ambasada, “Projekti për Edukimin Qytetar dhe Ndërfetar” vazhdoi të zgjerojë veprimtaritë e veta në të gjithë vendin duke sjellë bashkë autoritete vendore, mësues, studentë, udhëheqë fetare dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar mënyra për të kultivuar vlera, që mund të kontribuojnë për një shoqëri më demokratike, të larmishme dhe tolerante.


Projekti zgjeroi, gjithashtu, bashkëpunimin me Departamentin e Edukimit në Komunitetin Islamik Shqiptar, i cili, si rezultat, vuri në zbatim programe mësimore konstruktive, bashkëpunuese për edukimin qytetar në shkollat e mesme fetare myslimane në Tiranë. Projekti kërkon ta përhapë këtë përvojë në shkolla të tjera të mesme fetare myslimane në mbarë vendin.


Gjithashtu, Ambasada vazhdoi të mbështesë projektin “Ditët e Tolerancës në Shkollat Fetare”, me anë të të cilit udhëheqës të bashkësive shekullare dhe fetare, zyrtarë të qeverisë, dhe të tjerë diskutuan në brendi mundësi për të përforcuar mirëkuptimin e ndërsjellë midis feve. Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar vazhdoi projektin e saj për nxitjen e tolerances fetare. Ky projekt 2-vjeçar nisi në maj 2004 dhe synon të mbështesë bashkëekzistencën e paqshme të grupeve të ndryshme fetare dhe të nxisë më shumë mirëkuptim ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme.

BW
Shtuar më 10/11/2005, ora 01:04
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori