SHBA pro, Serbia kundër pavarësisë së Kosovës
Albeu.com
Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs i ka bërë thirrje Serbisë për bashkëpunim në procesin i cili po e çon Kosovën drejt pavarësisë. Kjo u bë e ditur pas takimit të Rajs me ministrin e jashtëm serb, Jeremiq.Kështu deklaroi një diplomat i Ministrisë së jashtme amerikane, pas takimit të sekretares Rajs me ministrin e jashtëm serb, Vuk Jeremiq, të zhvilluar mbrëmë në Uashington.
Burimet diplomatike thonë se sekretarja e shtetit ka insistuar që Serbia të plotësojë obligimet e veta ndaj bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë ndaj Tribunalit të Hagës. Megjithatë, Kosova ishte tema kryesore e bisedimeve.
"Të gjithë e dinë se Kosova së shpejti do të bëhet shtet i pavarur, ndërsa ne i bëjmë thirrje Serbisë për bashkëpunim në këtë periudhë", theksoi ky burim anonim, i cili nuk deshi të flasë më shumë për rrjedhën e takimit Rajs - Jeremiq.
Ministri serb Vuk Jeremiq, pas takimit deklaroi se megjithë dallimet ndaj çështjes së Kosovës, mes Serbisë dhe SHBA sërish është vendosur një dialog konstruktiv në nivelin më të lartë. Jeremiq e quajti takimin si një sinjal të mirë në fillim të periudhës, kur duhet të merret vendimi për statusin e ardhshëm të Kosovës. Sipas tij kjo zgjidhje duhet të sigurojë paqë dhe stabilitet në Ballkan. Mirëpo palët kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me zgjidhjen ideale për statusin e Kosovës.
"Nuk kemi rënë dakord lidhur me zgjidhjen për statusin e Kosovës. Ne jemi kundër pavarësisë, ndërsa SHBA e mbështesin pavarësinë", theksoi Jeremiq, duke shtuar se palët megjithatë u dakorduan lidhur me rëndësinë e periudhës së ardhshme, të cilën duhet shfrytëzuar për bisedime serioze.
Jeremiq u shpreh optimist lidhur me mundësinë e përmirësimit të raporteve amerikano - serbe. Ai shpreson se Uashingtoni do të pranojë që zgjidhja e statusit të Kosovës, si bazë të ketë kartën e OKB dhe parimet e drejtësisë ndërkombëtare.
Sekretarja amerikane e shtetit, Kondoliza Rajs të hënën është takuar në Uashington edhe me grupin e Unitetit, të cilit i ka premtuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për pavarësinë e Kosovës. Njëkohësisht kosovarëve u ka bërë thirrje të kenë durim dhe të heqin dorë nga idetë për shkalljen e njëanëshme të pavarësisë. deutche welle
Shtuar më 28/07/2007, ora 20:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori