SHBA, Nishani takohet me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë
Pëlqej
Në vijim të vizitës së tij në SHBA, Presidenti i Republikës Bujar Nishani u prit nga anëtarë të shumtë dhe drejtues të Rrjetit të Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network).

Presidenca bën me dije se kreu i shtetit zhvilloi një bashkëbisedim të hapur për zhvillimet në Shqipëri, perspektivën e integrimit, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunimin me diasporën, etj. /albeu.com/

Fjala përshëndetëse e presidentit Nishani

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sërish me ju në çfarë është bërë tashmë një takim i rregullt, për të ndarë mendime dhe ide për çështje, të cilat janë me interes për të gjithë ne, dhe të cilat kanë të bëjnë me rrugëtimin tonë përgjatë rrugës së zhvillimit dhe progresit. Më lejoni të përfitoj nga ky rast t’ju falenderoj për ftesën tuaj, për praninë tuaj, dhe për mundësinë që ju më keni dhënë për një bisedë të hapur dhe të sinqertë.

Në kohërat e sotme të komunikimit të menjëhershëm, të mundësive të gjithanshme të informimit të shpejtë, kur pothuajse çdo gjë është publike dhe zhvillimet ndiqen shpeshherë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe interpretohen në forma e mënyra të ndryshme nga gjithsecili, është e vështirë të vish nga Tirana për të sjellë ndonjë gjë të re, të paditur. Duhen vetëm pak sekonda për të mësuar nga çdo cep i botës, çfarë ndodh përditë në Shqipëri dhe në Kosovë. Do të doja, megjithatë, që këto pak minuta t’i shfrytëzoja për të theksuar disa momente që mendoj se paraqesin interes edhe për ju:

Së pari, ne nuk do të lodhemi duke përmendur dhe përsëritur atë që është arritur në histori si kontributi më i madh, që janë përpjekjet e admirueshme dhe mbështetja e ofruar nga komuniteti shqiptar në Amerikë, bijtë dhe bijat e Shqipërisë, zemra e të cilëve, pavarësisht distancës, kurrë nuk pushuan së rrahuri me ritmin e vëllezërve dhe motrave në atdhe. Respekti ynë dhe vlerësimi për ta është vendosur përfundimisht në altarin e vlerave më të larta të kombit.

Megjithatë, për fat të mirë, kohët kanë ndryshuar. Dhe kanë ndryshuar shumë dhe për mirë në lidhje me atë që edhe ëndërrimtarët më të guximshëm vështirë se e kishin imagjinuar. Shqipëria dhe Kosova janë duke jetuar në realitete që nuk kanë të krahasuar me asgjë të ngjashme në historinë tonë. Ne jetojmë në paqe, në bashkëpunim dhe mirëkuptim, në marrëdhënie dinamike, por edhe në një konkurrencë të shëndoshë me të tjerët. Krahasimet me të kaluarën shërbejnë pa dyshim si leksione të mrekullueshme të historisë, edhe pse obligimet tona maten sipas angazhimeve, të cilat rinovohen çdo vit, dhe shpesh në terma edhe më afat-shkurtra.

Reformat dhe progresi i Shqipërisë janë, para së gjithash, një arritje e qytetarëve shqiptarë, janë prova e përpjekjeve të tyre me ndikim të gjerë, dhe janë një përkthim i natyrshëm i dëshirave, ëndrrave dhe qëllimeve kolektive. Ato janë investim i brezit të sotëm për të kompensuar të kaluarën sa më shpejt të jetë e mundur, për të fituar kohë, për të investuar në të tashmen dhe për të siguruar më mirë të ardhmen. Megjithatë, reformat dhe zhvillimi jonë janë padyshim rezultat i bashkëpunimit të vendosur me partnerët, miqtë dhe me mbështetësit tanë dashamirës jashtë vendit, mes të cilëve SHBA zënë një vend kryesor.

Është gjithashtu një e vërtetë e padiskutueshme se rreth 1.2 milion shqiptarë – më shumë se një e treta e popullsisë në vend sot – të cilët e kanë bërë zgjedhjen, gjatë dy dekadave të fundit, të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, japin një kontribut të çmuar dhe të mirëpritur në mënyra dhe forma të ndryshme, madje edhe kur ai nuk është drejtpërdrejt i dukshëm. U deshën disa vite për të kuptuar një gjë të thjeshtë: mungesa e shqiptarëve në tribunat e nderit, në altarët e vlerësimit apo tribunat e shkëlqimit nuk kishte të bënte me ndonjë lloj pamundësie të qenies tonë. Kjo kishte të bënte me sistemin që nuk i jepte atyre një mundësi për të qenë të realizuar. Artistë, aktorë, këngëtarë, atletë, gazetarë, studentë të shkëlqyer në universitete të famshme, sipërmarrës të rinj dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme, me pak fjalë, ju që jeni sot këtu jeni një dëshmi e vlerave të fshehura, aftësive të pashfrytëzuara dhe rezultateve të munguara. Me suksesin tuaj, ju i keni dhënë vetes dhe familjes tuaj, por edhe Shqipërisë një krenari të ligjshme dhe ju meritoni mirënjohjen tonë. Jeta dhe interesat tuaja këtu, në këtë shoqëri, por unë ju inkurajoj që të vazhdoni të jeni të interesuar dhe të lidhur me Shqipërinë, me zhvillimet atje, sepse përvoja të tjera, këshilla dhe kontributet kurrë nuk do të jenë të tepërta apo të panevojshme.

Shqipëria është anëtare e NATO-s – dhe pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, të gjithë e kuptuan menjëherë rëndësinë strategjike të kësaj arritje të madhe të Shqipërisë. Ndërkohë, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE disa muaj më parë dhe ajo është më afër se kurrë me BE-në. Pikërisht për arsyen se jemi në rrugën e një zhvillimi dinamik, me qëllime ambicioze, dhe duke u përballur, si çdo vend, me atë që e ardhmja parashikon për ne, ne kemi nevojë edhe për më shumë miq, më shumë lidhje, më shumë njohje, dhe më shumë mundësi. Prandaj, një organizim më i mirë, bashkëpunim edhe më i afërt për të maksimizuar ndikimin në shoqërinë në të cilën ne jemi të integruar, është ndoshta mbështetja më e madhe dhe cilësore që mund të jepet për Shqipërinë, për Kosovën, për botën shqiptare, si pjesë e pandarë e botës perëndimore.

Në një vend si SHBA, ku organizimi i komunitetit është jo vetëm një e drejtë, por një mënyrë e funksionimit të shoqërisë, aftësia për të bashkuar kontributet personale është një garanci për sukses. Kështu, unë do të doja t’ju inkurajoj që të ofroni praninë e aktivitetit tuaj në këtë vend në të gjitha dimensionet e mundshme të suksesit dhe prosperitetit për ju dhe familjet tuaja, por edhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë.

Edhe pse gjeopolitika e sotme nuk mund të përcaktohet lehtë, nuk ka dyshim se roli, zëri, ndikimi dhe impakti i Shteteve të Bashkuara në botë do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm në aspektin e politikës të zhvillimit ndërkombëtar. Ky vend ka mbërritur këtu, ku është tani, falë lirisë, iniciativës individuale, kurajos për tu përballur me rreziqe dhe, për shkak se është bazuar tek barazia shoqërore para ligjit. Mundësia, të cilën çdo qytetar gëzon në lidhje me arritjen e niveleve më të larta, deri në pozitën e qytetarit të parë të vendit, është në themel të zhvillimit të këtij vendi dhe garanci për të ardhmen. Mark Gjonaj është bërë tashmë shembulli që tregon se nuk ekzistojnë më pengesa apo kufij të pakapërcyeshëm për brezin e ri të shqiptaro-amerikanëve. Unë jam i sigurt se suksesi i tij është sukses i komunitetit shqiptar këtu dhe se ndihma dhe mbështetja juaj ishin vendimtare për fitoren e programit dhe ideve të tij.

Më lejoni të theksoj se kontributi më i mirë, më i vyer që mund t`i jepni Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare është të organizoheni, të gjeni mënyrën për të qenë sa më të integruar në shoqërinë ku jetoni dhe si të tillë e me një zë të fortë të mund të ndikoni aty ku keni mundësi për të bërë që të tjerët të na njohin, me ato që kemi më të mira dhe të mundësoni që interesat që na lidhin e bashkojnë të mbrohen e nxiten më së miri.

Duke ju uruar sukses e begati në të gjitha planet, unë jam i gatshëm t’i përgjigjem ndonjë interesimi të veçantë.
Shtuar më 28/09/2014, ora 10:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori