SHBA: Kosova kerkon vemendje, Bosnja sfidon stabilitetin
Albeu.com
Në dëshminë e paraqitur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, shefi i Inteligjencës Kombëtare, Dennis Blair ka paralajmëruar se ruajtja e stabilitetit në Kosovë kërkon vëmendjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe BE-së.
Ai ka ngritur edhe çështjen e Bosnjës, duke thënë se ndasitë etnike atje përbëjnë sfidë për stabilitetin në Evropë.

Kosova kërkon vëmendjen e vazhdueshme për të ruajtur stabilitetin, tha në një dëshmi për Kongresin drejtori i Inteligjencës Kombëtare amerikane.
“Kosova, ku pakica serbe dhe shumica etnike shqiptare mbeten të acaruar rreth pjesës së ndarë në veri, kërkon vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për të ruajtur stabilitetin”, tha Blair, transmeton radio Evropa e Lirë.

Në dëshminë me shkrim, zyrtari më i lartë i shërbimit të inteligjencës, gjithashtu tha se tensionet e vazhdueshme etnike në Bosnjë e Hercegovinë vazhdojnë të paraqesin kërcënimin më të madh për stabilitetin në Evropë.
Në pjesën për Rusinë, Blair theksoi përpjekjet e Moskës për të ushtruar ndikimin e saj te ish-fqinjët sovjetikë, veçanërisht mbi Gjeorgjinë.

Blair ka thënë se pikëpamja e presidentit rus, Dimitri Medvedev, që ish fqinjët e Moskës të shihen si “zonë e interesit të privilegjuar”, është një arsye tjetër për brengosje dhe mund të përbëjë kërcënim për marrëdhëniet me Washingtonin.

Zyrtari i lartë i kundërzbulimit gjithashtu ka vërejtur se vazhdon “dhuna sporadike e shkallës së ulët” në rajon, e cila mund të nxisë kthimin e luftimeve.

Sipas Blairit, luftimet mund të shpërthejnë edhe ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, për shkak të rajonit të kontestuar të Nagorno Karabahut.
Në pjesën për Kinën, ai ka thënë se Kina e ka shtuar grumbullimin e informatave dhe operacionet e procedimit kundër Shteteve të Bashkuara.

Blair tha se sulmet e fundit kibernetike ndaj kompanisë Google janë thirrje alarmi dhe se Qeveria amerikane e as sektori privat nuk mund ta mbrojnë plotësisht infrastrukturën kibernetike të Amerikës.
“Aktiviteti malicioz kibernetik po ndodh në një shkallë të paparë me sofistikim të jashtëzakonshëm”, përfundoi Blair.
Shtuar më 03/02/2010, ora 16:35
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori