SHBA: Kosova dhe Serbia nuk do te bisedojne per statusin
Albeu.com
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë ashpër, që në bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar të diskutohet për çështjen e statusit të Kosovës, apo për ndarje territoriale.
Kështu u shpreh ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Philip Gordon gjatë vizitës së tij në Kosovë. Gordon tha se bisedimet në mes palës kosovare dhe asaj serbe do të mund të fokusohen vetëm për çështje teknike si në fushën e energjetikes, gjykatave, për personat e pagjetur, riatdhesim, por jo edhe për statusin e Kosovës.
“Ne nuk shohim ndonjë arsye që të bisedohet për çështjen statusit dhe ndryshimit të kufijve, dhe kundërshtojmë fuqishëm diskutimet për çështje të tilla. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka çështje shumë të rëndësishme për të cilat do të mund të bisedohej si për shembull çështja e energjetikës, gjykatat, për riatdhesim, për personat e pagjetur dhe të tjera. Mbetët tek Serbia dhe Kosova që të vendosin se si do të rrjedhin këto bisedime, por ne do ti mbështesim ato në çfarëdo mënyre”, tha Philip Gordon, ndihmëssekretari amerikan i shtetit.
Sipas Gordon-it, Serbia e ka të pa mundur integrimin e saj në BE, nëse nuk i zgjidh problemet që i ka me Kosovën.
“Përshtypjet e mija janë që rruga e Serbisë drejtë BE-së do të jetë e kompletuar vetëm atëherë kur të zgjidh mospajtimet e saj me Kosovën. BE, ka qenë mjaftë e qartë dhe mendoj se opinioni Evropian nuk do të dëshironte që të pranonte problemet me kufij, mos pajtimin në çështjen e njohjes së pavarësisë”, u shpreh Philip Gordon, ndihmëssekretari amerikan të shtetit.
Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, tha se Kosova është e gatshme që në çdo kohë të bisedoj me Serbinë, mirëpo pa u prekur sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit.
“Kosova vetëm do të kushtëzoj që sovraniteti dhe integriteti territorial i saj të mbrohet pa tjetër dhe të ruhet, ndërkohë që Kosova është e gatshme të ulet me Serbinë në çdo kohë që kërkohet nga ne, për të biseduar për tema të ndryshme, të cilat do të sillnin një frymë të re në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Skënder Hyseni, Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Ndihmëssekretari amerikan i shteti, Philip Gordon, ka mbështetur aksionet e fundit të misionit të Eulex-it, që sipas tij kanë për qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe të largoj korrupsionin nga shoqëria kosovare. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Gordon është takuar edhe me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi.
Shtuar më 12/05/2010, ora 12:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori