SHBA e konsiderojnë pavarësinë si zgjidhje të vetme
Albeu.com
Nënsekretari i Departmentit Amerikan të Shtetit, Nicholas Burns ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e vonesës së zgjidhjes së çështjes së Kosovës si dhe ka ritheksuar mbështetjen amerikane për pavarësinë e Kosovës.Ai në një dëshmi para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, ka theksuar se mosrealizimi i pavarësisë së Kosovës mund të forcojë ekstremistët dhe mund të çojë në një konflikt të ri në Kosovë.


“Popullata shqiptare e Kosovës kurrë nuk do të pranojë sundimin nga Serbia”, ka theksuar me bindje Burns. Ai ka përsëritur mbështetjen për dokumentin e negociatorit Martti Ahtisaari, ndërkaq edhe kongresistë pjesëmarrës në këtë dëgjim publik mbështetën atë dhe njëkohësisht edhe pavarësinë e Kosovës. “Për Kosovën nuk do të ketë liri pa pavarësi”, tha kongresisti Tom Lantos, kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, një post ky me shumë ndikim nga një personalitet që ka qenë një nga më mbështetësit e mëdhenj të lirisë së Kosovës tash afro dy dekada. Z. Lantos njëkohësisht i dha një mbështetje të fuqishme planit të Ahtisaarit. Ai tha se për bashkësinë ndërkombëtare nuk ka asnjë zgjidhje tjetër të pranueshme përveç pavarësisë së Kosovës. Lantos theksoi se bazuar në veprimet e mëhershme, dhunën dhe krimet që i ka bërë, Serbia ka humbur çdo legjimitet që të ushtrojë sovranitet mbi Kosovën. Shumica e kongresistëve anëtarë të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë e kanë mbështetur planin e Ahtisaarit. I vetmi që e kundërshtoi atë ishte kongresisti proserb republikan nga shteti Indiana, Dan Burton, duke ritheksuar edhe njëherë qëndrimin që tashmë e ka shfaqur disa herë se e kundërshtonte imponimin e zgjidhjes nga jashtë. Në dëshminë e tij të mëtejme dhe duke u përgjigjur në disa vërejtje, nënsekretari Burns theksoi se krimet që ndodhën mbi shqiptarët në vitet e nëntëdhjeta në Kosovë ishin të papara në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Qëndrimin dhe mbështetjen për pavarësinë e Kosovës Burns e ka theksuar edhe në një dëshmi para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë, një organizatë joqeveritare me shumë ndikim, ku ka thënë se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë pavarësinë e Kosovës si të vetmin opsion për një zgjidhje të qëndrueshme. "Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shumë e qartë se e ardhmja e Kosovës duhet të jetë pavarësia dhe ne do t’i prijmë kësaj rruge si autorë të rezolutës që do ta mundësojë këtë, ka thënë dje Burns, duke shfaqur optimizëm se tashmë ekzistojnë edhe votat e mjaftueshme për miratim të planit të Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. rtk
Shtuar më 18/04/2007, ora 16:03
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori