SHBA dhe vendet kryesore perëndimore mbështesin pavarësinë e Kosovës
Albeu.com
Në takimin, dje vonë pasdite, të Këshillit të Sigurimit të Komeve të Bashkuara i cili u mbajt me dyer të mbyllura, kryenegociatori i bisedimeve për Kosovën, Martti Ahtisaari e arsyetoi propozimin e tij në dokumentin me të cilin rekomandon një Kosovë të pavarur nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Gjatë ditëve të ardhshme KS do të vendosë nëse do të dërgojë një mision faktmbledhës në Kosovë, ndërsa po ashtu këtë muaj vendet e Grupit të Kontaktit do të fillojnë hartimin e një rezolutë të re.
"Kjo është një ditë e rëndësishme sepse shënon fillimin e një procesi. Nuk do të thosha se do të jetë një maratonë, por megjithatë të paktën mund të jetë një garë 10 mijë metërshe vrapimi", tha Ahtisaari, duke paralajmëruar se megjithatë gjërat nuk do të lëvizin shpejt.

Në takim ka folur edhe kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ruecker, në emër të presidentit Fatmir Sejdiu, ndërkaq nga pala serbe, me insistimin e Rusisë, ka folur kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica.

Pas takimit, ambasadori britanik dhe president i Këshillit të Sigurimit për këtë muaj, Emyr Jones Parry, tha se tek anëtarët e Këshillit kishte një mbështetje të konsiderueshme për pavarësinë e Kosovës nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Ai tha se pritet që shumë shpejt, gjatë këtij muaji, qeveritë e Britanisë së Madhe, të Francës, Gjermanisë, Italisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë të fillojnë hartimin e një rezolute të re. Ai po ashtu tha se ditëve të ardhshme Këshilli i Sigurimit do të vendosë lidhur me idenë e dërgimit të një misioni faktmbledhës të KS në Kosovë dhe në Serbi. Ai parashikoi konsultime të mëtutjeshme gjatë këtij muaji, por jo edhe prezantim apo votim të rezolutës së re.

Pas mbarimit të takimit presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu i cili qe i pranishëm por nuk mbajti fjalë në takimin zyrtar për shkak të kundërshtimit të Rusisë, tha se sot ishte një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën, ndërsa dokumentin e Ahtisaarit e quajti të balancuar dhe një kompromis. Sejdiu tha se ishin shteruar të gjitha mundësitë pas 14-15 muajsh bisedimesh dhe se nuk ekzistonte asnjë mundësi e një zgjidhje të negociuar.

"Populli i Kosovës është në pritje dhe ai ka të drejtë të ketë një perspektivë të qartë. Çdo shtyrje e mëtejme do të jetë kundërproduktive", tha presidenti i Kosovës, duke thënë se Kosova ishte e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta dhe të bëhet faktor i stabilitetit të brendshëm dhe rajonal.

I pyetur lidhur me kundërshtimet e mundshme për dokumentin, Sejdiu tha se “donte të mendonte me qasje pozitive duke shfaqur bindjen se do të ketë një vendim dhe marrëveshje nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit”.

Ambasadori i Francës, Jean-Marc de la Sabliere vendit me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit deklaroi se shtyrja e mëtejme dhe moszgjidhja më e shpejt e çështjes së statusit do të ishte e rrezikshme.

"Nuk do të thotë se duhet të nxitojmë e të miratojmë një diçka ditëve të ardhshme, mirëpo nuk duhet edhe të vonohemi shumë sepse kjo do të ishte shumë e rrezikshme", tha ambasadori francez. Ai tha se Kosova nuk përbënte një precedan, por ishte një situatë specifike dhe se zgjidhja e çështjes së saj përfundonte edhe procesin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë.

Kemi të bëjmë me stabilitetin e Evropës", tha La Sabliere duke thënë se Rusia po përpiqej ta vononte procesin.

Ambasadori amerikan, Alejandro Wolff, e përgëzoi Ahtisaarin për një paraqitje gjithëpërfshirëse dhe shtjellim të hollësishëm të planit para Këshillit të Sigurimit. Edhe ai e quajti situatën në Kosovë si të veçantë duke thënë se dokumenti mbi pavarësinë ishte opsioni i vetëm i mundshëm.

Wolff tha se kishte nevojë për informim dhe edukim të shtuar lidhur me Kosovën, të sqarohej se pse ishte i drejtë dokumenti i Ahtisaarit dhe pse argumentet e Koshtunicës ishin të gabueshme.

Argumenti i ambasadorit amerikan ka mundur të jetë edhe arsyeja e një deklarimi nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit me ç'rast Sean McCormack ka thënë se Washingtoni po shqyrton propozimin e Rusisë për një mision faktmbledhës në Kosovë.

"Është qartë se është një çështje e rëndësishme për ta, andaj edhe po shikohet seriozisht kjo dëshirë e tyre për një mision të tillë faktmbledhës, si do ta çonte çështjen përpara, i cili do të ishte mandati specifik i Këshillit në një mision të tillë, si dhe kur do të realizohej”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Kryeministri i Serbisë Vojislav Koshtunica, duke folur para gazetarëve tha se Këshilli i Sigurimit kishte refuzuar dokumentin e Ahtisaarit. I sfiduar për këtë pohim të tij, ai nuk e mbështeti me asnjë argument dhe u gjet në një situatë të padëshiruar kur ju shtrua pyetja se cilat ishin ato vende përveç Rusisë, që nuk u pajtuan me dokumentin ?

Si mund të kishte refuzim kur nuk u bë ndonjë votim, ishte një pyetje në të cilën Koshtunica nuk pati përgjigje, por vazhdoi me tiradën e tij ndaj dokumentit dhe Ahtisaarit duke kërkuar bisedime të reja dhe ndërmjetësues të ri.

"Çdo lloj sugjerimi se propozimi është refuzuar apo se po kërkohet emërimi i një negociatori të ri është krejtësisht i pasaktë. Kjo nuk u përmend fare në asnjë pjesë të takimit të Këshillit të Sigurimit", tha ambasadori britanik, Emyr Jones Parry.
s. gashi, rtk
Shtuar më 04/04/2007, ora 11:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori