SHBA: Burg për gjyqtarët e korruptuar
Zv.Ambasadori amerikan në Tiranë, Henry Jardine, në tryezën e organizuar nga Presidenti Nishani në lidhje me reformën në drejtësi ka drejtuar një apel për të ndëshkuar me burg gjyqtarët e korruptuar.

“Ka gjyqtarë të mirë, të ndershëm atje jashtë, por ata që nuk janë të ndershëm, apo që janë të korruptuar duhet të ekspozohen dhe të ndëshkohen për sjelljen e tyre joetike apo të korruptuar dhe disa duhet të shkojnë në burg.

Ka prokurorë dhe avokatë mbrojtës të ndershëm; ka punonjës të shërbimit civil që janë të përkushtuar dhe punojnë brenda sektorit gjyqësor.

Ka shumë shqiptarë që i'a kanë përkushtuar jetën e tyre realizimit të një vendi më të drejtë. Ndaj, duhet bërë kujdes që ndryshimi të vihet në zbatim në mënyrë të tillë që ndërton mbi të mirat që ekzistojnë dhe që ndërton mbi ndryshimet që kanë ndodhur në historinë paskomuniste të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Jardine nënvizoi se prania e të gjithëve tregon rëndësinë e çështjes që diskutohet. “Edhe pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë dhe zyrave përkatëse sot është për t’u përgëzuar dhe pasqyron ndërgjegjësimin e gjerë që reforma gjyqësore është kritike për zhvillimin e vazhduar demokratik të Shqipërisë.

Reforma gjyqësore është një prej kërkesave për standartet e bazuara në performancë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Detyrimet e Shqipërisë në këtë drejtim janë përcaktuar qartë në Udhërrëfyesin për në BE. Megjithatë, ky është një koncept shumë më i thellë dhe më i gjithanshëm; nuk është thjesht çështje e përmbushjes së një parakushti të jashtëm. Reforma gjyqësore nuk është thjesht një kërkesë që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Jardine.

“Pa dyshim, shumë njerëz që merren me sistemin e drejtësisë këtu në Shqipëri, gjyqtarë, prokurorë, avokatë mbrojtës dhe qytetarë, besojnë se sistemi i tanishëm nuk ecën sipas ritmit të nevojave të vendit.

Megjithatë, në të njëjtën kohë duhet të bëjmë kujdes të mos futim në të njëjtin grup të gjithë individët që punojnë në sistemin e Shqipërisë. E nxisim fort qeverinë të punojë ngushtë me Bashkimin Europian për t’u siguruar që Udhërrëfyesi të ndiqet në çdo gërmë. Në këtë proces, roli i Komisionit të Venecias do të jetë jetësor dhe zyrtarët e qeverisë dhe deputetët po ashtu, duhet të peshojnë me kujdes këshillat eksperte që mund të ofrojë ai. Dëshirojmë të shohim që partitë politike të bëhen bashkë për të lënë mënjanë mosmarrëveshjet partiake; të punojnë jo për avantazhe politike, por për interesin e qytetarëve shqiptarë. Megjithatë, pjesë e këtij diskutimi nuk duhet të jenë vetëm figurat politike, por edhe shoqëria civile. Kur flas për një proces përfshirës, nuk e kam fjalën që të shihet i përkufizuar sipas linjave partiake, por një proces përfshirës i interesave të ndërthurjes më të gjerë të bashkësisë shqiptare. Interesat e ngushta, politike të cave nuk duhet të shërbejnë për të bllokuar apo shtrembëruar përpjekjet për të arritur reformën e nevojshme gjyqësore që do të ishte në të mirën e të gjithë vendit”, u shpreh ai. /albeu.com/
Shtuar më 06/10/2014, ora 12:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori