Anketë e UNDP: Vjosa Osmani me rejting 72.4%, Albin Kurti 65 %, Hashim Thaçi 19%

United Nation Development, program i Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar vendet e varfra dhe vendet në zhvillim, ka zhvilluar një sondazh për politikanët kosovarë.

Në raport prin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ku niveli i kënqashmërisë së qytetarëve me punën e saj është 72.4%, pasuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti me 65.4%.

Ndërsa, kënaqshmëria me Presidentin ka rënë me 2.5 pikë përqindje (18.7%) nga nëntori 2019 (21.2%).

Sipas këtij raporti, intervistat janë zhvilluar përmes telefonit si pasojë e situatës pandemike kudo në botë, COVID-19, me gjithsej 1306 intervistues.

Në raport, paraqitet gjendja e kënaqshmërisë e të gjitha institucionet të vendit si dhe të liderëve politik për punën që e kanë kryer dhe janë duke e kryer.

Këtë raport e ka publikuar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka thënë se “duhet të lexohet patjetër, vecanërisht në situatën aktuale”. “Absolutisht duhet të lexohet, veçanërisht në situatën aktuale.
Nivelet e besimit në institucionet përkatëse, ndjenja ndaj korrupsionit, rekrutimi i bazuar në merita në sektorin publik, etj flasin vetë. Statistikat flasin.”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se pas sugjerimit të ambasadorit gjerman Christian Heldt për leximin e raportit të UNDP-së për kënaqshmërinë e qytetarëve me punën e institucioneve të vendit, është shprehur i habitur me gjetjet e këtij raporti.

“U mundova dje dhe sot të lexoj statistikat , sipas sugjerimeve të një ambasadori të një vendi shumë të respektuar, se ato flasin vet. E pyeta veten, si mundet një qeveri ku për shkak të pandemisë kanë mbetur të punojnë edhe 5 ministra të LDK-së, e cila dy herë shkeli Kushtetutën, të ketë përkrahje të tillë. Një qeveri e cila shkarkon borde dhe e pranon publikisht se po i instalon partiakët e vet. Nuk më folën rezultatet”, ka shkruar Mustafa në Facebook. Ai ka hedhur dyshimet e tij për kredibilitetin e këtij raporti duke i cilësuar si ‘simpati personale’.


Shtuar 31.05.2020 14:09