Shalsi: Ministria e Integrimit, 170 mijë $ për reklama
Partia Socialiste ka vijuar edhe sot të servirë fakte të reja mbi atë që e quan "skandali i reklamës shtetërore", ku sipas saj janë përfshirë pothuajse të gjitha ministritë e qeverisë Berisha.

Paralelisht, akuzua e PS-së drejtohet edhe ndaj mediave, të konsideruara prej saj pranë qeverisë, të cilat sipas saj hedhin baltë dhe dezinformojnë publikun me porosi të kryeministrit Berisha.

Sipas deputetit socialist Eduard Shalsi, qeveria nuk u përgjigjet akuzave të opozitës, "pasi nuk ka me çfarë të mbrohet përballë këtij skandali".

Partia Socialiste kërkon që kryeministri Berisha të japë llogari “përse shpenzuar paratë e shqiptarëve për financimin e PD-së, dhe pse ai po rrënon median e lirë.”

"Olldashi nuk mohoi që kishte pasur kurajon që të financonte RD-në me 500 mijë dollarë. Nuk mohoi që ministria e Mbrojtjes i kishte dhenë 110 mijë euro Frangajt, dhe po ashtu edhe ministria e Brendshme i kishte dhënë miliona", tha Shalsi.

Pas denoncimit për shpenzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Punëve të Brendshme apo Ministrinë e Transporteve, për të reklamuar veten në televizionet pranë qeverisë, Shalsi dha sot shifra të tjera për shpenzimet e kryera nga Ministria e Integrimit, që sipas tij shkojnë në 170 mijë dollarë.

Shalsi iu referua edhe Drejtorisë së Rrugëve, e cila sipas tij ka shpenzuar 18.9 milionë lekë, duke ia dhënë të gjitha spotet kompanisë Promo.

Sipas Shalsit, "grupi mediatik pranë kryeministrit Berisha përfiton 65 % të fondeve, ndërsa të gjitha mediat e tjera së bashku dhe ato ndërkombëtare fitojnë 35%". /albeu.com/
Shtuar më 23/09/2012, ora 14:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori