Ardian Çapja dorëzon në GJKKO materialin prej 30 faqesh: Jam i pafajshëm!

Ardian Çapja ka kërkuar të shpallet i pafajshëm.

Ai ka treguar në Gjykatë se procesi ndaj tij për vrasjen Gentian e Nezir Beqirit në gusht të 2012, është montuar nga Prokuroria e Elbasanit.

Sipas tij, prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjar të Çapjas dhe plagosjen e 8 të tjerëve, nuk po e zbardh sepse është përfshirë politika.

“Janë tre autorë që është provuar se janë përfshirë në masakrën ndaj familjes time e po ashtu edhe politika. Ata që donin të mbanin pushtetin dhe ato që donin të siguronin vota. Edhe avokati i ndjerë Ravik Gurra ka kërkuar informacion pranë Prokurorisë së Elbasanit dhe ka vënë dispozicion materiale për zbardhjen e kësaj ngjarje, dhe ka dyshime se ai është vrarë për informacioneve që dispononte.“.

Kujtojmë që Çapja u arrestua në vitin 2021 gjatë operacionit “Krasta 2021” për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012. Në kërkim për të njëjtën ngjarje është edhe Florenc Çapja, të akuzuar nga prokuroria si porositës dhe organizator të vrasjes, që dyshohet se është pasojë e një vargu hakmarrjesh në Elbasan.

Hetimet u rihapën në vitin 2018 nga disa të dhëna të mbërritura në Policinë e Shtetit, ndërsa prova më e fortë e Prokurorisë së Elbasanit është dëshmia e Ervis Bardhit, i konsideruar si ekzekutuesi fizik i Gentian Beqirit në apartamentin e tij. Dëshmia e Bardhit u konsiderua e besueshme nga Prokuroria, teksa ai ka treguar me detaje mënyrën e vrasjes dhe faktin që ka marr 50 mijë euro për vrasjen.

 


Shtuar 19.04.2023 13:38