Shahini shpjegon vlerësimin online, bën apelin e rëndësishëm për maturantët
Për të gjithë studentët dhe nxënësit të cilët janë në dilemë nëse vlerësimi online do të jetë përfundimtari i dhënë nga mësuesit, ministrja e Arsimit Besa Shahini e ka sqaruar njëherë e mirë këtë temë.

“Vlerësimi që bëhet në shtëpi është vlerësim orientues. Pra, nuk është notë formale finale. Nota formale dhe finale vendoset kur të kthehemi në shkollë dhe nxënësi pyetet ose testohet prapë nga mësuesi për leksionet që janë zhvilluar në këtë kohë ose që janë zhvilluar më përpara”, tha ministrja Shahini.

Sa i përket Maturës Shtetërore, ajo u shpreh në një videomesazh të postuar në Facebook, se nuk do të ketë pyetje nga leksione të pazhvilluara në shkollë.

“Nëse nuk arrijmë të përsërisim leksionet që kemi bërë kur kemi qëndruar në shtëpi, ato leksione nuk do të reflektohen në maturën shtetërore. Pra, nuk do ketë pyetje në maturën shtetërore nga leksione që nuk janë zhvilluar në shkollë”, qartëson ajo duke u bërë thirrje edhe njëherë nxënësve se nuk ka aspak vend për stres.

“Maturantët të mos stresohen shumë, të mësojnë për aq sa është e mundur. Të bëjnë ushtrime me librat që kemi botuar përmes QSHA, ku ka pyetje të cilat kanë rënë në matura të viteve të kaluara dhe thjesht të përgatiten për një test të zakonshëm që do ta bëjnë kur të kthehen në shkollë, kur të përsërisim leksionet që kemi zhvilluar në pjesën e parë të vitit dhe kur të bëhemi gati për maturën shtetërore”.

Duke iu referuar shifrave të INSTAT ministrja tha se 98% e familjeve shqiptare kanë televizor dhe 97% e të gjitha familjeve shqiptare kanë një telefon celular, kryesisht “smart” në shtëpi, ndaj ndjekja online e mësimit është e aksesueshme për të gjithë.
Shtuar më 09/04/2020, ora 09:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori