Sfidoi Ramën dhe Xhafajn, dëshmitari X jeton i zhytyr në borxhe
Pëlqej
Albert Eqerem Veliu në qytetin e Vlorës njihet me nofkat Berti i Abesë, ose Babale. Por, përveç kësaj ai njihet në vendlindje edhe për problemet ekonomike dhe për dënimet e shpallura nga drejtësia italiane dhe shqiptare.

Ai nuk ka patur asnjëherë një punë të qëndrueshme, pasi prej vitesh rezulton të jetë i papunë. Ka probleme me alkoolin dhe shpesh u kërkon ndihmë të njohurve për shpenzimet e ditës.

Lista e borxheve që ka është e gjatë, tregojnë ata që e njohin. Së fundmi, në janar 2018 Bashkia e Vlorës e ka futur në listat e ndihmës ekonomike.

Albert Veliu jeton bashkë me 2 djemtë e tij në lagjen Topana në një banesë private dykatëshe, tek e cila, pas rrëfimit të tij nuk gjendet askush në shtëpi. Fqinjët nuk pranojnë të flasin për Albertin.

Ai tha se ndodhej në Tiranë, ndërsa në banesë nuk kishte askënd. Pas kësaj bisede, Albert Veliu nuk u përgjigj më në telefon.

Ai rezulton një person i skeduar nga policia përsa kohë deklarohet se në 16 gusht 2013 është ekstraduar nga Interpol Roma. Pasi është dorëzuar në Shqipëri ai ka vuajtur në burgun e Peqinit për 3 vite.

Shpallja fajtor e Albert Veliut ishte firmosur nga Gjykata e Vlorës për trafik të mjeteve motorike për një vepër të kryer nga 51-vjeçari në vitin 2008 shkruan TCH.

Albert Veliu e identifikon veten si një të dënuar edhe nga Italia për çështje droge. Për këtë dosje, sipas tij, ka vuajtur 7 vjet e dy muaj, sepse u kap në vitin 2000 me një sasi prej 10 kilogramë kokainë, në Peskara të Italisë.
Shtuar më 17/05/2018, ora 19:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori