Sesioni i 69 i OKB, presidenti niset drejt SHBA
Pëlqej
Në krye të një delegacioni, presidenti Nishani është nisur drejt SHBA ku do të marrë pjesë në sesionin e 69 të OKB, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-mun.

Duke i'u referuar njoftimit zyrtar nga Presidenca, Kreu i Shtetit do të mbajë një fjalë në Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të 69-të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Nju Jork. Nishani do t’u drejtohet të pranishmëve në kuadër të Samitit mbi Klimën dhe do të jetë i pranishëm në veprimtarinë e përvitshme të Nismës Globale Klinton, i ftuar nga ish-Presidenti amerikan Bill Klinton. Vizita zyrtare e Kreut të Shtetit shqiptar parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme me homologë, me Federatën Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe mjaft personalitete të shquara shqiptaro-amerikane me një kontribut të qenësishëm në promovimin e vlerave atdhetare të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Amerikë.

Në përfundim të vizitës, Nishani do të mbajë një ligjëratë me temë “Shqipëria–demokracia e re drejt Bashkimit Evropian” në universitetin prestigjioz të Miçiganit, ku do të diskutojë me profesorët dhe studentët lidhur me zhvillimet e gjithanshme politike, ekonomike, shoqërore të Shqipërisë, mbi rolin dhe kontributin e saj në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, si dhe integrimin në gjirin e familjes së madhe evropiane. /albeu.com/
Shtuar më 22/09/2014, ora 11:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori