Seriali i vrasjeve mes të fortëve të Tiranës: Nga Gaz Muça, tek Naim Zyberi dhe Franc Konomi
Historia e të “fortëve” të Tiranës është rikthyer edhe një herë tjetër, pas vrasjes së Devi Kasmit.

Shkak ëstë bërë lidhja e tij me Franc Konomin, të cilin e kishte mik, por që më pas u akuzua se kishte gisht në ekzekutimin e tij.

Një ekzekutim, i ngjashëm me atë që iu bë mbrëmjen e së hënës, vetë Kasmit.

Historia e të “fortëve” të Tiranës është kthyer në një legjendë, që vazhdon ta përndjekë kryeqytetin.

Ata e nisën me grushta, dhë më pas përfunduan duke shitur drogë në rrugët e Europës.

Historia e të “fortëve” të Tiranës

Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim.

Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin.

Në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta.

Ata kishin në zotërim tërë lagjen e tyre dhe bënin një grupim shumë të madh në kryeqytet.

Duke ndjekur unazën, vinte lagjja e Gazmend Muçës, në “Rrugën Bardhyl”.

Në këtë zonë Gaz Muça ishte njeriu më i njohur dhe bënte ligjin sipas mënyrës së tij.

Duke qenë se ai dhe Naim Zyberi ishin “të fortë” lagjesh, kishin njohje me njëri-tjetrin por edhe konflikte.

Konflikti i fundit ndërmjet tyre ka lindur në prill të vitit 1992.

Franc Konomi, miku i ngushtë i Domart Konjarit, do të mbahej më tepër si një nga ata që morën pjesë në atentatit që iu bë më 7 prill 1992 te “Xhamlliku” Gaz Muçës, edhe pse në atë ngjarje u tha se morën pjesë 4 vetë, edhe vetë Naim Zyberi.

Por edhe ndaj Naim Zyberit u morë hak, më 6 gusht 1997, pasi u vra në një spital në Milano të Italisë.

Pak ditë para vrasjes, ndaj tij ishte bërë një atentat në të cilin mbeti i plagosur.

Zyberi në atë kohë u cilësua si autori i vrasjes së Gaz Muçës dhe Artur Grorit.

Ndërsa në dhjetor 1997, ekzekutohet Fatos Keta, i cili cilësohej si një nga miqtë më të ngushtë dhe të besuar të Naim Zyberit.

Më 31 korrik 1998 vritet edhe vëllai i Gaz Muçës, Taulanti.

Por vrasja e Fatjon Naxhakut më 3 gusht 2005 në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes fort të gjakrave mes Franc Konomit dhe kundërshtarëve të tij.

Naxhaku, që kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit, por nga përballja me të mbetet vetë i vrarë.

I fundit që u ekzekutua nga të dy grupet ishte Franc Konomi.

Më 8 korrik 2010, 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend.

Kur dukej se historia kishte përfunduar këtu, mbrëmjen e 29 janarit të vitit 2018, vritet Devi Kasmi, njeriu që mendohet se kishte gisht në vrasjen e Konomit.

Vrasja dyshohet se është kryer pikërisht nga Domart Konjari, që pas lirimit dy vite më parë, mendohet se ka përgatitur planin për ekzekutimin e njeriut që thuhet se kishte gisht në vrasjen e mikut të tij të ngushtë.
Shtuar më 30/01/2018, ora 11:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori