Serbia vazhdon politiken e saj agresive ndaj Kosoves
Albeu.com
“Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga 65 vende demokratike anekënd globit. Gjatë këtyre dy viteve të pavarësimit, Kosova ka arritur t’i ndërtojë institucionet e saj demokratike:
Kushtetutën dhe Ligjet, Gjykatën Kushtetuese, Agjencinë e Inteligjencës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe të gjitha i ka bërë në përputhshmëri të plotë me Pakon e Ahtisarit, me të drejta të garantuara për komunitetet
pakicë. Me këtë Kosova ka arritur t’i hedhë poshtë gjithë prognozat e këqija që dolën para pavarësimit të vendit. Ka arritur të mbajë stabilitetin e përgjithshëm në vend dhe të bëhet faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një adresimi që pati sot për ambasadorët e shteteve anëtare të Këshillit të Atlantikut Verior në Bruksel.
Kosova ka organizuar zgjedhjet në nivel lokal, të parat të administruara nga institucionet vendit, tha më tej Presidenti Sejdiu, duke çmuar angazhimin dhe pjesëmarrjen në këto zgjedhjet të përfaqësuesve të komuniteteve, si dhe duke e cilësuar si inkurajuese rritjen e daljes së përfaqësuesve të komunitetit serb në këto zgjedhje.
Presidenti i Kosovës ka folur edhe për Strategjinë për Veriun. Ai tha se qëllimi i strategjisë është integrimi edhe i asaj pjese të qytetarëve serbë, që mbahen peng i politikave të Beogradit, në institucionet e vendit, ngritja e nivelit të sigurisë, parandalimi i krimit të organizuar dhe atij ekonomik, zhbërja e strukturave paralele, lëvizja e lirë e qytetarëve e të gjitha komuniteteve.
Presidenti Sejdiu tha se janë bërë hapa konkretë për funksionalizimin e kësaj strategjie, për të cilën institucionet e Republikës së Kosovës kanë përkrahjen e institucioneve ndërkombëtare (ICO), si dhe shtoi se kemi besim të plotë në arritjen e integrimit të qytetarëve.
Një pjesë të fjalës së tij, Presidenti Sejdiu ia kushtoi edhe bashkëpunimit të institucioneve të vendit me institucionet ndërkombëtare, KFOR-in, EULEX-n dhe ICO-në. Duke folur për punën e EULEX-it, ai tha se ekziston nevoja për veprime konkrete në vendosjen e sundimit të ligjit në gjithë Republikën e Kosovës, ndërsa në raportet me ICO-në ai ritheksoi vazhdimin e bashkëpunimit në zbatimin e Planit të Presidentit Ahtisari.
Presidenti Sejdiu foli para ambasadorëve edhe për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet me vendet fqinje. Ai tha se ai si institucionet e vendit dhe vendet mike po vazhdojnë lobimin për njohje të mëtutjeshme të shtetit të Kosovës dhe u shpreh i bindur se numri i njohjeve do të rritet pas dhënies së mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Presidenti
Sejdiu përkujtoi në vijim se Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhënie bilaterale me shumë vende të botës, ndërsa ka hapur deri tash 21 ambasada dhe 10 misione konsullore në vendet që e kanë njohur shtetin tonë. Ai shoti se politika e fqinjësisë së mirë ka gjetur mirëkuptim të plotë të vendeve fqinje, por problem mbetet Serbia, e cila po e vazhdon politikën e saj agresive kundër Kosovës.
Ai tha se Beogradi zyrtar po i financon strukturat paralele serbe, të cilat veprojnë në veri të vendit, ku ende ka shkallë të lartë të kontrabandës dhe të kriminalitetit ekonomik. Ai theksoi se Serbia ka investuar qindra-miliona euro për mbajtjen e këtyre strukturave, të cilat po e mbajnë peng komunitetin serb në atë pjesë të Kosovës, duke mos i lejuar
qytetarët e këtij nacionaliteti të integrohen në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës. Por, Presidenti Sejdiu shfaqi shpresën se kjo gjendje atje duhet të marrë fund, ndërsa njerëzit duhet të kenë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, serbët në jug, ndërsa shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët në veri, atu ku kanë jetuar me shekuj.
Sejdiu po kështu tha se Bashkimi Evropian duhet të bëjë presion mbi Serbinë që t’i shmanget qasjes jokonstruktive, ndërsa theksoi gjithashtu se përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi të jetë kusht për anëtarësim në BE për këtë të fundit.
Në fund të këtij takimi, në të cilin ishin të pranishëm edhe Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Ilir Dugolli, Presidenti Sejdiu pati një bashkëbisedim të hapur me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. (koha)
Shtuar më 18/03/2010, ora 14:44
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori