Serbia ta njohe pavaresine e Kosoves
Albeu.com
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur të komentojnë deklaratën e ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Mirosllav Lajçak, e cila ka ta bëjë me përgatitjen e një plani për zgjidhjen e raporteve Kosovë-Serbi, mirëpo ata vlerësojnë se ...... zgjidhja më e mirë për rregullimin e këtyre raporteve është pranimi i realitetit të ri të krijuar në Kosovë nga ana e Serbisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, vend ky i cili ende nuk e ka njohur Kosovën shtet, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka përgatitur planin se si të zgjidhen raportet Kosovë - Serbi pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilin pritet ta prezantojë në mbledhjen e Këshillit të ministrave të BE-së, më 10 maj, në Bruksel.

“BE-ja është lojtar i rëndësishëm global, mirëpo kredibilitetin e saj potencial duhet ta dëshmojmë, para se gjithash, në oborrin tonë të brendshëm, dhe ky është pikërisht Ballkani Perëndimor. Marrë parasysh se në periudhën vijuese presim mendimin e GJND-së lidhur me pavarësinë e Kosovës, është e qartë se BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë vendim, dhe jo të ndodhë që ajo të na gjejë të papërgatitur”, ka thënë Lajçak.

Plani i Lajçakut synon që marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë të vihen në një kornizë me të zgjeruar të zgjidhjes së kontesteve në Ballkanin Perëndimor – që do të mundësonte që në të njëjtën tavolinë të uleshin të gjithë se bashku, edhe shtetet e rajonit edhe BE-ja.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë për Kosovapress se nuk dëshiron të komentojë planin e kryediplomatit sllovak për zgjidhjen e problemeve Kosovë - Serbi.

“Ne i vlerësojmë deklaratat e ministrit Lajçak, i cili ka thënë se Sllovakia ka një qasje miqësore ndaj Kosovës, besojmë se ata edhe duhet ta ngritin në nivel këtë qasje dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Por, sa i përket raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ne nuk mund ta komentojmë të ashtuquajturin plan, sepse planin nuk e di askush përveç tij dhe nuk mund ta paragjykojmë, por ajo që mund të thuhet që mënyra më e mirë për t’i rregulluar raportet mes Kosovës dhe Serbisë, është që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Sllovakia është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që vazhdon të hezitojë në njohjen e realitetit të ri të krijuar në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008. Zyrtarë sllovakë disa herë kanë përsëritur qëndrimin e shtetit të tyre kundër njohjes së Kosovës si shtet.
Shtuar më 02/05/2010, ora 23:47
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori