Serbia me rezoluten per Kosoven zemeroi BE-ne
Albeu.com
Me paraqitjen e rezolutës së vet në OKB, pa konsultime paraprake me fuqitë e mëdha, Serbia ka hyrë në një fazë të re, shumë të rrezikshme, ndërsa ka nisur një lojë bixhozi edhe me kandidaturën e vet në BE, shkruan të premten gazeta “Blic”.
“Ndaj Serbisë tashmë është rritur presioni që të tërheqë rezolutën e vet në BE, e përcjellë me vërejtjen se ajo nuk mund të presë integrimet evropiane nëse vazhdon të sillet kështu”, shkruan gazeta.
“Blic” shkruan se në Beograd “është sekret publik” se qysh para dy vjetësh Gjermania dhe Britania e Madhe e kanë kushtëzuar shqyrtimin e kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE me sjelljen e Beogradit ndaj Kosovës, por edhe në OKB.
Ambasadori britanik në Beograd, Steven Wordsworth, të enjten edhe zyrtarisht, në një intervistë për BBC-në, ka thënë se teksti i rezolutës serbe është i papranueshëm, se BE-ja është e befasuar me këtë lëvizje të Serbisë dhe i ka bërë thirrje Beogradit që t’i kthehet procesit të konsultimeve me BE-në në lidhje me tekstin e rezolutës, duke shtuar se këto konsultime kanë nisur qysh para një jave.
“Prej se është bërë publik Mendimi i GJND-së, para një jave, zyrtarët e BE-së kanë punuar bashkë me kolegët e tyre serbë në përpilimin e një rezolute të përbashkët që do t’i dërgohej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, tha Wordsworth, duke shpjeguar se në fillim të kësaj jave në Bruksel është diskutuar për elementet e përbashkëta të rezolutës.
Wordsworth ka thënë edhe se të martën pasdite, Ministria e Jashtme serbe u ka bërë thirrje përfaqësuesve të vendeve të Quintit (Britania e Madhe, SHBA-ja, Italia, Franca dhe Gjermania) dhe ua ka shpërndarë draftrezolutën e Serbisë duke kërkuar komentet e tyre.
“Për këtë arsye na ka befasuar informata që e kemi marrë më pas atë ditë se Serbia në OKB tashmë e ka dorëzuar draftrezolutën e vet, pa i informuar paraprakisht zyrtarët e BE-së apo të Quintit”, tha Wordsworth.
“Blic” shkruan se jozyrtarisht ka mësuar që ambasadorët e Quintit në Beograd janë detyruar që tekstin e rezolutës serbe ta shkruajnë vet, meqë MPJ-ja serbe nuk ua ka dhënë kopjet e rezolutës, por vetëm ua kanë lexuar përmbajtjen e saj – përkatësisht ua kanë diktuar që ata ta shkruanin.
“Ka kohë që nuk kam shkruar me laps. Për fat, teksti nuk ishte i gjatë”, citon “Blic” njërin prej të pranishmëve në këtë takim.
“Blic” shton se, sipas informatave jozyrtare nga burime diplomatike në Beograd, një sjellje e tillë në MPJ-në serbe është konsideruar fyese, ndërsa tërheqja nga marrëveshja rezulton, sipas diplomatëve, me “humbje të besimit”.
“Nëse Serbia nuk kthehet në konsultime me BE-në rreth rezolutës, më e besueshme është se 22 vendet, ose në ndonjë variant tjetër edhe të 27 vendet e BE-së, do të propozojnë tekstin e vet të rezolutës në OKB”, citoi gazeta një diplomat me renome që foli me kusht anonimiteti.
Ndërkohë, edhe ambasadori britanik nuk ka lënë hapësirë për dyshime se si e sheh vendi i tij këtë hap të Serbisë, dhe deklaroi se nëse secila palë do të punojë ndarazi në rezolutë, “atëherë mund të përfundojmë edhe në fushën e konfrontimit”.
Wordsworth ka mohuar se ekziston “rezoluta shqiptare” që kinse ka qenë arsye që Beogradi të ngutej me dorëzimin e tekstit të vet.
Edhe Ambasada amerikane në Beograd, të enjten, është deklaruar rreth hapit të fundit të Serbisë.
“Konsiderojmë që është për keqardhje që Serbia nuk është përfshirë në konsultime serioze para se të dorëzojë rezolutën e vet me qëllim të arritjes së konsensusit rreth tekstit që do të mund të kishte përkrahjen nga të gjitha palët e interesuara”, i është thënë “Blicit” nga Ambasada e SHBA-së në Beograd.
Edhe ekspertët serbë të politikës ndërkombëtare janë shprehur skeptikë rreth gjasave të Beogradit në OKB.
“Vështirë që rezoluta serbe, e cila nuk e ka përkrahjen e BE-së, të mund të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Me këtë, ajo luan lojën e konfrontimit me fuqitë perëndimore. Konsideroj që edhe më tutje ka hapësirë për marrëveshje me BE-në rreth rezolutës nëse Beogradi tregon një orientim evropian”, i tha gazetës Vladimir Todoroviq, redaktor i Revistës Juridike Serbe.
Ish-ambasadori serb në Paris, Predrag Simiq, tha se Beogradi ka tentuar që me një paraqitje të shpejtë të rezolutës së vet t’i parandalojë të tjerët.
“Gjasat e Serbisë në OKB janë të një kumarxhiu, sepse ajo po rrezikon një disfatë edhe më të madhe se në Hagë. Ne ekonomikisht nuk jemi të përgatitur për një konflikt afatgjatë me fuqitë më të mëdha të botës dhe vetes nuk mund t’ia lejojmë marrëdhëniet konfliktuoze me BE-në”, tha Simiq.

Ish-ambasadori serb në Washington, Ivan Vujaçiq, tha se pa marrëveshje me BE-në rezoluta serbe nuk mund ta marrë shumicën në OKB.
“Integrimet evropiane janë larg, por nuk është mirë të hyjmë në konfrontime me anëtarët më të rëndësishëm të BE-së. Shpresoj se do të ketë marrëveshje dhe kompromis rreth tekstit të rezolutës”, tha Vujaçiq.

Në anën tjetër, “Blic” citoi edhe deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Hahsim Thaçi, se për çështjet e brendshme të Kosovës nuk do të ketë dialog me Serbinë dhe se “përgjithmonë duhet harruar idetë për status special, autonomi, shkëmbim territoresh dhe ndarje”. (koha)
Shtuar më 31/07/2010, ora 11:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori