Serbia ia ktheu shpinën Cërvenkovskit
Pëlqej
Albeu.com
Çështja e kufirit me Kosovën para skandalit diplomatik. Pas paralajmërimeve të fundit se vija me Kosovën është afër shënimit, serbët paralajmërojnë se nuk do ta pranojnë të mërkurën Cërvenkovskit në Beograd.Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë dhe Malit të Zi (SMZ) janë vënë në pikyetje. Ftohja e Beogradit me Shkupin ka ardhur si pasojë e informatave se kryeministri Vllado Buçkovski është në bisedime të vazhdueshme me kryeministrin kosovar, Agim Çeku për shënimin e vijës kufitare.
Burime të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) të SMZ-së kanë bërë të ditur se marrëdhëniet e mira të Buçkovskit me autoritetet kosovare kanë vënë në rishqyrtim edhe vizitën e paralajmëruar të presidentit Branko Cërvenkovski, të planifikuar për të mërkurën e ardhshme.
Ministri i Jashtëm i SMZ-së, Vuk Drashkoviq, në një deklaratë të dhënë për media ditën e premte, është treguar i përmbajtur në pyetjen nëse do të anulohet vizita e Cërvenkovskit. “Unë nuk kam informata të tilla”, ka thënë Drashkoviq.
Mirëpo mësohet se ditëve të fundit, Beogradi zyrtar disa herë është marrë me paralajmërimet për arritjen e kompromisit mes Shkupit dhe Prishtinës për shënimin e vijës kufitare Kosovë-Maqedoni. Dhe si përfundim, ka pasur zëra që kanë kërkuar që Cërvenkovski të mos mund ta vizitojë Beogradin, derisa nuk heqin dorë nga bashkëpunimi më autoritetet kosovare për çështjen e kufirit.
Ndërkohë që edhe shefi i diplomacisë serbe, Vuk Drashkoviq, ka thënë se i gjithë ky koketim mes Shkupit dhe Prishtinës nuk është në favor të negociatave që zhvillohen në Vjenë për statusin përfundimtar të Kosovës. “Unë madje refuzoj edhe të mendoj se Maqedonia tani në mes të negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, ka vendosur që praktikisht ta promovojë Kosovën si shtet të pavarur”, ka qenë kategorik Drashkoviq.
Nga ana e tij, presidenti Branko Cërvenkovski tha se të “mërkurën pret të zhvillojë një vizitë miqësore”. Ai tha se bëhet fjalë për dy shtete fqinje që kanë raporte të mira dhe se nuk pret komplikime në raportet mes dy vendeve.
Senatori amerikan, George Voinovich një javë më parë gjatë takimit në Shkup me presidentin e Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, theksoi se, vija kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës duhet të shënohet para statusit përfundimtar. “Demarkacioni i kufirit ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës të zgjidhet para se Këshilli për Siguri i Kombeve të Bashkuara të bëjë parafimin e marrëveshjes konkrete për statusin e Kosovës”, tha Voinovich.
Burime diplomatike bëjnë të ditur se insistojnë që kryeministri kosovar, Agim Çeku gjatë muajit prill të vijë në Shkup me një dokument bllanko të nënshkruar me të cilin do ta kishte pranuar vijën kufitare Maqedoni-Kosovë.
nga QASHIF BAKIU, Lajm
Shtuar më 02/04/2006, ora 14:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori