Serbia dorezon ne OKB rezoluten per Kosoven
Albeu.com
Pavarësisht përgjigjes së qartë të GJND-së Serbia ka dorëzuar në OKB rezolutën për Kosovën. Edhe pse GJND-ja i dha përgjigje pyetjes së Serbisë nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare, mediat serbe ...... njoftojnë se në rezolutën serbe megjithatë pohohet se "GJND nuk e ka konfirmuar të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për shkëputje".

Gjithashtu thuhet se ajo rezolutë përmban ftesën që "përmes dialogut të arrihen zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura". Duket se në këtë mënyrë Serbia përfundimisht ka refuzuar ofertën e përfolur të BE-së për bashkëpunim në fazën pas GJND-së, duke u përcaktuar për ballafaqim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.


Ky është, sipas gazetes “Blic”, teksti integral i Rezolutës së Republikës së Serbisë për KB:

“Në lidhje me pikën 77 të rendit të ditës së sesionit 64 të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së: ‘Kërkesa që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të miratojë Mendimin këshillëdhënës rreth asaj nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare’
Asambleja e Përgjithshme,
Duke u udhëhequr nga parime që përmban Karta e Kombeve të Bashkuara,
Duke pasur parasysh funksionet dhe autorizimet e veta në bazë të Kartës së Kombeve të Bashkuara,
Duke rikujtuar rezolutën e vet 63/3 nga 8 tetori i vitit 2008,
E ndërgjegjshme se nuk është arritur ujdia ndërmjet palëve mbi pasojat e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nga Serbia,
Duke pasur kujdes për faktin se secesioni i njëanshëm nuk mund të jetë mënyrë e pranueshme për zgjidhjen e çështjeve territoriale,
1. Merr në dijeni Mendimin këshillëdhënës të GJND-së, të miratuar më 22 korrik 2010 rreth asaj nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare,
2. Fton palët të gjejnë zgjidhje të pranueshme reciprokisht për të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut paqësor, në interes të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon,
3. Vendos të përfshijë në rendin e përkohshëm të ditës të sesionit 66 pikën me titull: “Aktiviteti i mëtejshëm pas miratimit të Mendimit këshillëdhënës të GJND-së rreth asaj se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Shtuar më 28/07/2010, ora 17:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori