Serbia akuzon per nxitje te urrejtjes mediat shqiptare ne Lugine
Albeu.com
Deputetit popullor në parlamentin e Serbisë, Riza Halimi dhe prefekti i Bujanocit, Shaip Kamberi, iu kanë drejtuar të martën, përmes një letre presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, me ç`rast kanë kërkuar nga ai, ta ...... shqyrtojë mirë aktakuzën me të cilën akuzohen për vepër penale, tre ish-drejtuesit e Radiotelevizionit Bujanoci.
Siç janë shprehur Halimi dhe Kamberi, gjendja faktike e këtij rasti i bënë të mendojmë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik, prapavija e të cilit është frikësimi i gazetarëve shqiptarë tri komunat e Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) e tërthorazi sipas tyre, edhe frikësimi i popullatës shqiptare i këtij regjioni.
“Me rastin e ngritjes së procedurës hetimore nga ana e Gjykatës së lartë në Vranjë ndaj tre ish-drejtuesve të Radiotelevizionit Bujanoci, gjegjësisht Xhahit Ramadanit, drejtor, Ahmet Beqirit, redaktor, dhe Argjent Gogës, gazetar”, në letrën e Halimit dhe Kamberit, dërguar presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, shkruhet se “gjendja faktike e këtij rasti na bënë të mendojmë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik, prapavija e të cilit është frikësimi dhe përndjekja e gazetarëve shqiptarë në këtë rajon, e tërthorazi me këtë gjykim edhe frikësimi i popullatës shqiptare të Luginës”.
Sipas përfaqësuesve shqiptarë të Luginës, në këtë letër theksohet edhe fakti se Ditët e Komandant Lleshit, Manifestim ky tradicional, i cili mbahet që nga viti 2002, përkon “me përvjetorin e vrasjes së njërit prej udhëheqësve të ish-UÇPMB-së, Ridvan Qazimi, i cili është edhe nënshkrues i “Deklaratës për demilitarizim” të këtij formacioni të uniformuar, më 21 maj të vitit 2001.
“Është me rëndësi të theksohet se pjesëtarët e ish UÇPMB-së, me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe të RFJ-së janë amnistuar me aktin e 23 majit 2001 - “Amnistimi është dalje”, theksojnë ata në letër.
“Përmes konstruktimit të këtij procesi gjyqësor-politik, siç thuhet më tej në letër, ushtrohet dhunë juridike, jo vetëm se mbi këta punëtorë medialë, të cilët kërcënohen me akuzë për vepër të rëndë penale, por edhe mbi gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni, krijohet atmosferë e përndjekjes dhe e frikës”, shkruhet në letër, dhe shtohet se “edhe më shumë dëshpërim nxitë fakti se me këso procese politike merret gjyqësori i reformuar “sipas masës së qytetarit”.
Në fund të letrës, kërkohet nga presidenti serb, Tadiq që të ushtrojë ndikimin e tij, te “institucionet kompetente që ky rast të qartësohet juridikisht dhe të mos lejohet inicimi i procedurave të tilla penale me të cilat krijohet atmosferë e “gjuetisë ndaj shtrigave” dhe të cilat mund të jenë të dëmshme për situatën politike në Bujanocin multietnik”.
Shtuar më 06/07/2010, ora 15:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori