Meta habit me deklaratën për ambasadorët: Na u puthën në buzë

Presidenti Meta sulmoi mbrëmjen e sonte në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” ish-ambasadorët e SHBA dhe BE-së që kanë qenë në Shqipëri kur u miratuan ndryshimet Kushtetuese për Reformën në Drejtësi në korrik të 2016, Donald Lu dhe Romana Vlahutin.

Kur u pyet nëse pret zgjidhje të krizës aktuale politike nga ndërkombëtarët, ai tha se nuk ka fare pritshmëri nga ata. Meta shtoi më tej se ndodhur në këto kushte, ai ka thirrur popullin në 2 mars, që të thotë fjalën e tij.

“Për zgjidhjen e krizës, unë nuk pres zgjidhje nga ndërkombëtarët, zgjidhjet janë në Kushtetutë po të donin. Për atë Kushtetutë që votuam me 140 vota ne na u puthën në buzë dy ambasadorët më të rëndësishëm nga gëzimi i madh, që bëmë me konsensus.

Ashtu sikur për fat të keq bekuan kapjen e prokurorisë me 69 vota, në kundërshtim të hapur me përcaktimin me 84 vota. Unë nuk e pres zgjidhjen nga diplomatë që sot janë në Shqipëri dhe nesër ikin në Taxhikistan, Afganistan apo dalin në pension.

Unë zgjidhjen e pres vetëm te respektimi i Kushtetutës. Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona të përditshme. Prandaj unë kam thirrur popullin, dhe duhet të thotë fjalën e tij dhe unë kam besim se do ta thotë.

Në radhë të parë me pjesëmarrjen, prandaj të tjerat do i komunikojmë në miting…manifestim, kjo është fjala më e mirë. Shqiptarët duhet të nguten”, tha ai.


Shtuar 24.02.2020 21:12