Serbet te zhgenjyer: Nuk do ta njohim kurre Kosoven
Albeu.com
Vendimi i GJND-së është zhgënjyes për 99 për qind të serbëve të cilët kanë shpresuar në mendim ndryshe të kësaj gjykate, ka thënë sekretari shtetëror për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq.Ai vlerësoi për radion KIM se tash vendet që nuk e kanë njohur deri tash pavarësinë e Kosovës, do të jenë nën presion që tya bëjnë këtë.

"Paqe dhe stabilitet politik nuk do të ketë derisa nuk ulemi dhe nuk bisedojmë si njerëz racionalë, duke kërkuar ndonjë zgjidhje normale, që do të mund të ishte e pranueshme për të dy palët", vlerësoi ai.

Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim dhe nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Kështu është shprehur Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç, pas vendimit të GJND-së, që vendosi se pavarësia e Kosovës është e ligjshme.
“Për Beogradin loja nuk ka mbaruar ende, pasi çështja është politike dhe tani fjala i kalon Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka deklaruar Jeremiç.

Vendimi i GJND-së sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e cenon të drejtën ndërkombëtare, e ka pikëlluar pa masë edhe presidentin e Serbisë, Boris Tadic, i cili megjithatë ka thënë se beteja do të vazhdojë tutje.

Ai ka thënë se opinioni i sotëm i GJND-së ishte vendim i rëndë për Serbinë.

I pyetur nga Tanjugu se “A ka filluar që ‘zemra e Serbisë’ të pushojë së rrahuri”, Tadic ka thënë se beteja për Kosovën do të vazhdojë në shtator Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Shtuar më 22/07/2010, ora 15:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori