Serbët sulmojnë me gurë shqiptarët ne Suhadoll
Albeu.com
Në orët e hershme të pasdites së djeshme një grup serbësh prej rreth 25 personash, kanë sulmuar me gurë, dy banorë të fshatit Suhadoll, derisa ata po punonin në arat e tyre, ka njoftuar sot SHPK-ja.Ndërsa mbrëmë rreth mesnate, persona të panjohur deri tash kanë hedhur koktej molotovi në zyrën humanitare norvegjeze "Norvegian Church Aid", njofton korrespondenti i RTK nga Mitrovica.

Pas sulmit me gurë nga ana e serbëve, shqiptarët të cilët në ato momente ishin duke punuar në arat e tyre, dhe, me qëllim të shmangies së incidenteve ata lajmëruan policinë. Mirëpo, me të arritur pjesëtarët e SHPK-ës dhe të policisë së UNMIK-ut, nga stacioni i pjesës veriore të Mitrovicës edhe ata u sulmuan nga serbët e rebeluar me gurë dhe vetëm pas arritjes së forcave të KFOR-it,situata në orët e mbrëmjes u vu nën kontroll. Me gjithë pohimet e banorëve shqiptarë se janë dëgjuar edhe të shtëna nga armë zjarri, nuk është raportuar për të plagosur gjatë këtij incidenti, ndërsa policia është duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e krijuara në këtë rast.

Hedhet koktej molotovi në objektin e organizatës humanitare "Norvegian Church Aid"


Një përzierje ndezëse molotovi është raportuar të ketë qenë e hedhur në objektin e organizatës humanitare "Norvegian Church Aid", në rrugën "Tetovska" nr. 11, në veri të Mitrovicës.

Punëtori i kësaj organizate, i cili ka njoftuar policinë lidhur me incidentin, ka deklaruar se rreth orës 00:05min pas mesnate, persona të panjohur kishin hedhur përzierje ndezëse në zyrën kryesore të kësaj organizate, duke shkaktuar dëme materiale në dritaren e objektit të saj.

Falë intervenimit të shpejtë të lajmëruesit, zjarri është shuar menjëherë duke mos lejuar që të shpërndahet më tutje.

Pjesëtarë të SHPK-së, të stacionit veri, kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes ndërsa hetimet për identifikimin e kryesve të këtij akti kriminal janë duke u zhvilluar, njofton Korrespondenti i RTK-së nga Mitrovica, Latif Voca. (rtk)
Shtuar më 31/03/2008, ora 19:25
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori