Sequi, shef kabineti i Ministrisë së Jashtme italiane
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, pritet të emërohet si shef i ri i kabinetit të ministres së Jashtme italiane Federica Mogherini.

Burime të besueshme nga Ministria e Jashtme Italiane konfirmuan këtë lajm për gazetën “Shqiptarja.com”, duke sqaruar se pritet që zoti Sequi të emërohet në këtë detyrë të rëndësishme në fund të muajit prill, pas një periudhe, gjatë së cilës do t’i duhet të bëjë dorëzimet e të largohet edhe nga detyra si përfaqësuesi më i lartë i Bashkimit Europian në Tiranë.

Me ardhjen e kryeministrit të ri italian Matteo Renzi, pati një riformatim të gjithë kabinetit qeverisës, si pasojë e të cilit 42-vjeçarja Federica Mogherini është zgjedhur të drejtojë një nga dikasteret më të rëndësishme qeveritare.

Burimet saktësojnë se ftesa në drejtim të Ettore Sequi ka ardhur prej disa kohësh, por, në respekt edhe të shërbimit të jashtëm të Bashkimit Evropian, ambasadori vendosi të qëndrojë dhe pak kohë në Tiranë.

Ky është një lajm pozitiv dhe vlerësim jo vetëm për ambasadorin Sequi, por edhe një garanci për vendin, pasi do të thotë se Shqipëria dhe integrimi i saj në Bashkimin Europian do të jenë shumë përpara në axhendën e diplomacisë italiane, vend që ka mbështetur fuqishëm procesin e anëtarësimit në BE. /albeu.com/
Shtuar më 23/03/2014, ora 17:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori