Senati i SHBA miraton një rezolutë për Shqipërinë dhe Maqedoninë
Albeu.com
Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar një rezolutë për Shqipërinë dhe Maqedoninë, konfirmoi sot pasdite ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë.Rezoluta, e cila u publikua e plotë, ndalet në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), pas marrjes në Bukuresht, të ftesës zyrtare.
Rezoluta fillimisht kujton faktin se NATO u mblodh në prill 2008 për të zgjeruar aleancën, rikonfirmuar qëllimin për mbrojtje të popullatës, territoreve dhe forcave në rajonin Euro-Atlantik, si edhe për të përforcuar aftësinë për t’u përballur me kërcënimet ndaj sigurisë, që mund të lindin në shekullin e 21-të.
Senati vendosi të përshëndesë marrjen e ftesës së Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO për të nisur bisedimet e pranimit dhe njohu natyrën historike të kësaj arritjeje, të arritur me vite pune të madhe dhe një demonstrim të angazhimit për sigurinë e përbashkët dhe vlerave të anëtareve të NATO-s.
"Senati vendosi të njohë punën e madhe dhe angazhimin e treguar nga Republika e Maqedonisë për vlerat e NATO-s dhe operacionet dhe shpreh mbështetjen e fuqishme për të ftuar Republikën e Maqedonisë të nisur bisedimet e pranimit dhe për të arritur një rezolutë të pranueshme të përbashkët në lidhje me konfliktin për emrin e vendit, sa më shpejt që të jetë e mundur", thuhet në Rezolutë.
Më tej shprehet mbështetje e fuqishme për përfundimin në kohë të bisedimeve të pranimit me tre vendet e Kartës së Adriatikut për të lehtësuar procesin e pranimit. Po ashtu, mbështet plotësisht ftesat për nisjen e një Dialogu intensiv mes NATO-s e Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë. (ina)
Shtuar më 20/05/2008, ora 05:31
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori