Selami: Do t’i rikthej PD-së madhështinë e vitit 1992
Eduard Selami, është i vetmi kandidat kundër kryedemokratit Lulzim Basha në betejën për kreun e PD-së.

Selami u përjashtua nga lista e 25 qershorit nga Lulzim Basha, e pas kësaj mes tyre nisi një “armiqësi” e cila u përforcua kur ai shprehu kandidaturën për kreun e PD-së.

I ftuar në emisionin “Fol Me Mua Fol Me Ata” me gazetarin Enkel Demi, kandidati Selami shpalosi plaltformën e tij për bashkimien PD-së duke theksuar nevojën për një model të ri organizimi në PD.

Ai ka shprehur shumë kritika për kandidatin e tij rival, Lulzim Basha, i cili mbajti postin e kryetarit të PD-së për katër vite. Sipas Selamit, Basha e humbi shansin e tij dhe ajo që do të ishte e drejtë ishte dorëheqja e tij për të mos hyrë në këtë garë.

Selami ka shumë rezerva për mënyrën se si po zhvillohet gara, për njëanshmërinë që sjell kandidati rival si “kryetar i ngrirë e jo një kandidat në kushte të barabarta me të, por Selami duket se është nisur në këtë garë me gjithë optimizmin e duhur për ta fituar atë.

I pyetur se nga i buron ky optimizëm, referuar një garë që nuk është e lirë e demokratike, Selami thotë se është në këtë sipërmarrje të madhe për të sjellë modelin demokratik, tek i cili ai beson se demokratët do të afrohen.

Selami ndjehet afër me kritikat e kundërshtarëve të Bashës në PD, kur thotë se ata kanë të drejtë që konstestojnë kushtet në të cilat po zhvillohet kjo garë, por është kritike me mënyrën se si ata po qasen kësaj gare përmes akuzave e lëvizjeve që përçajnë e nuk e bashkojnë PD-në.

Për Eduard Selamin, demokracia e brendshme në partitë politike duket se ka qënë një mission i pamundur deri tani dhe origjina e kësaj problematike është e hershme qysh ën vitin 1994, kur ai tha se u largua padrejtësisht nga PD-ja, me urdhër të Berishës.

Megjtihatë, Selami ka shpresë se demokracia e brendëshme do ti sjellë PD-së madhështinë që ajo ka pasur në vitin 1992 kur i besuan shumica e shqiptarëve.

Një prej lëvizjeve që e bëjnë demokratike një parti është edhe lejimi i fraksioneve brenda saj. Për këtë Selami duket se është gati. Ai tha se në se zgjidhet kryetar i PD-së do të mirëpresë fraksionet brenda partisë, si një element që i japin më shumë demokraci. /albeu.com/


Shtuar më 04/07/2017, ora 12:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori