Sekuestrohen 20 mijë metra katrorë tokë në Himarë, u përfitua me letra false
Prokuroria e Vlorës ka urdhëruar sekuestron e një sipërfaqe toke 20 mijë metra katrorë, në zonën e Palermo-Himarë, pasi dyshohet se është përfituar nëpërmjet dokumentave të falsifikuar nga ana e shtetasit Vasil Rrapo.

Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të disa shtetasve, të cilët kanë dokumentacionin e trashëgimisë së ligjshme mbi pronën, e cila aktualisht është e regjistruar në Zyrën Vendore te Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP), Vlorë, në emër të shtetasit Vasil Rrapo.

Në bazë të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se shtetasi V.RR., ka përfituar tokë në bazë të ligjit nr.7501/1991 “Për tokën” një sipërfaqe prej 9582 m2.

Por, në Hipotekën e Vlorës, sipërfaqja e tij rezulton 29.582 m2. Prokuroria ka bërë veprimet e nevojshme hetimore, nga ku ka rezultuar se është falsifikuar dokumenti për marrjen e tokës, në të cilin është shtuar numri “2” përpara shifrës së sipërfaqes reale, duke e shndërruar pronësinë e shtetasit Vasil Rrapo nga 9582 m2 në 29.582 m2.

Në vijim, Prokuroria e Vlorës ka konstatuar se pjesa më e madhe e kësaj sipërfaqe, e cila është regjistruar në ZVRPP në emër të shtetasit V.RR, është tjetërsuar, duke u shitur te persona të tretë ose duke u dhuruar.

Prokuroria e Vlorës, Njësia Task-Force, ka konstatuar gjithashtu se pjesa e pasurisë së tjetërsuar i përket asaj sipërfaqe toke, e cila dyshohet se është përfituar nëpërmjet dokumentave të falsifikuar.

Aktualisht, shtetasi Vasil Rrapo ka në pronësi pjesën e tokës, e cila i është njohur që në vitin 1991, në zbatim të ligjit nr.7501, “Për tokën”.

Në këto kushte, Prokuroria e Vlorës ka kërkuar në Gjykatë vendosjen e sekuestros preventive për 20.000 m2, e cila është pjesa e sipërfaqes, e dyshuar si e përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Rrapo dhe që më pas u është shitur personave të tjerë. /albeu.com/
Shtuar më 20/05/2016, ora 14:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori