Nxorën zvarrë nënën e të arrestuarit nga komisariati në Lushnje, pezullohen dy efektivët

Policia ka marrë masa pasi një video ku shihen efektivët e policisë në Lushnjë të cilët nxjerrin nga komisariati një grua me forcë ka bërë xhiron në rrjete sociale.

Në njoftimin e policisë së shtetit bëhet me dije se drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra 2 punonjësit e Policisë njëri me detyrë specialist informaconi dhe tjetri oficer i patrullës së përgjithshme.

Si ndodhi ngjarja? Në rrjete sociale denoncohet se nëna e të arrestuarit është nxjerrë zvarrë nga ambientet e komisariatit nga 2 efektivët.

Reagimi i Policisë së Shtetit

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një shtetase, të cilën punonjësit e Policisë e nxjerrin nga Komisariati i Policisë Lushnjë, sqarojmë se:

Rrethanat e ngjarjes: Ditën e sotme, pas një telefonate në sallën operative, se në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, kishte ndodhur një konflikt, menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë në adresën e dhënë. Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi M. V., 21 vjeç (i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”) ishte konfliktuar me shtetasin E. M., 35 vjeç, banues në Lushnjë.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin M. V., 21 vjeç, dhe proceduan penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasin E. M.

Gjatë kohës që shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e shtetasit M. V., në Komisariat, shtetasja R. M. (nëna e shtetasit M. V.) ka tentuar të futet me forcë në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe është nxjerrë jashtë nga efektivët e Policisë.

Në lidhje me zbatimin e procedurave standarde nga ana e punonjësve të Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, rreth orës 17:00, është informuar nga drejtuesi i strukturës vendore të Policisë, për veprimet e kryera kundrejt shtetases R. M..

Me qëllim pasjen e një hetimi disiplinor sa më objektiv, Drejtori i Përgjithshëm ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësit e Policisë F. H., me detyrë specialist informaconi dhe Sh. S., oficer i patrullës së përgjithshme, si dhe ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur menjëherë hetimin disiplinor.


Shtuar 13.02.2022 22:36