Sekuestrimi i pajisjeve të Shijak TV, inspektorët e AMA-s qëllohen me armë
Zbatimi i vendimit gjyqësor për “Sekuestrimin e pajisjeve transmetuese të subjektit të palicencuar TV Shijak” nga ana e inspektorëve të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe përmbaruesit është shoqëruar me tension mes palëve. Në një deklaratë për mediat, AMA njofton se pas paraqitjes në pikën e transmetimit, punonjësit e AMA-s u ndeshën me disa persona të panjohur, të pajisur me mjete të forta, të cilët nuk lejuan ushtrimin e detyrës në zbatimvendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

"Gjatë rrugës së kthimit, në afërsi të fshatit Surrel, automjeteve të grupit të punës të AMA-s, u është prerë rruga nga një automjet tip Fuoristradë me ngjyrë të zezë, me xhama të errët. Nga ky automjet kanë dalë 3 persona, të cilët ndërmorën kërcënime verbale ndaj anëtarëve të grupit të punës dhe përmbaruesit privat. Njëri prej tyre, shtetasi Parid Ismaili, djali i pronarit të televizionit privat të palicensuar “TV Shijak”, nxori një armë tip pistoletë dhe qëlloi një herë në drejtim të grupit të punës. Fatmirësisht, nuk pati asnjë të lënduar fizikisht nga kjo goditje me armë. Pas kërcënimeve verbale, të pasuara nga e shtëna me armë zjarri, grupi i inspektorëve u paraqit në ambientet e komisariatit nr. 4 në Tiranë dhe bëri denoncimin përkatës" thuhet ne deklaraten e AMA-s.


AMA i bën thirrje opinionit publik ta mbështesë në misionin e saj për zbatimin e ligjit për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë dhe siguron se mbetet e vendosur të vazhdojë zbatimin e ligjit ndaj të gjithë subjekteve audiovizivë sipas ligjit. /albeu.com/
Shtuar më 23/05/2013, ora 16:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori