Sektori i call center, dëmton shikimin dhe dëgjimin e 31.5% të punonjësve
Pëlqej
Sipas një studimi të kryer së fundmi, rreth 31.5% e personave që punojnë në ‘call center’, kanë probleme me dëgjimin apo shikimin.

Menaxherja e projektetve pranë shoqatës TFL, Alma Kordoni, ka treguar se ‘call center’ është një sektor mjaft i fuqishëm në vend që mbart shumë problematika.

“Ky është një sektor goxha i fuqishëm dhe ofron kapacitete me rreth 50-150 punëtorë për kompani, pjesa më e madhe e të cilëve janë të rinj të moshës 18-30 vjeç. Shumica janë të arsimuar me shkollë të mesme, të lartë, madje edhe me doktoraturë. Por, pjesa më e madhe e problemeve që kemi evidentuar gjatë studimit lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen në punë, ku 31.5% e punonjësve kanë probleme shëndetësorë të krijuara në vendin e punës. Edhe pagesat e bonuseve herë pas here nuk futen në sistemin e pagës reale por si një pagesë ekstra”, thekson Kordoni.

Ajo gjithashtu ka shtuar se është konstatuar edhe shkelje e kontratës nga të dyja palët, punëmarrës-punëdhënës, si dhe bën me dije se në shumë raste nuk funksionojnë realisht këshillat e sigurisë dhe mbrojtjes në punë.

Në vendin tonë numërohen rreth 30 mijë punonjës në sektorin e call center, i cili vazhdon të mbetet një zgjidhje punësimi, veçanërisht për të rinjtë që nuk mund të gjejnë një punë në profesionin ku janë diplomuar. /albeu.com/
Shtuar më 14/03/2018, ora 18:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori