"Sekseri i Shkëlzenit" nuk dëshmon në komisionin për CEZ, Balla: Do ta sjellim me polici!
Nuel Kalaj është personi i akuzuar se bënte sekserin e djalit të të ish-Kryeministrit Sali Berisha për të sjellë kompaninë CEZ në Shqipëri. Ai ishte thirrur për të dëshmuar sot pranë Komisionit Hetimor Parlamentar për CEZ, por nuk është paraqitur duke shkaktuar edhe reagimin e kreut të këtij komisioni, deputetit Taulant Balla.

“Në rast mosparaqitje me dëshirë, përdoret edhe njoftimi përmes policisë së Shtetit. Nuel Kalaj jeton në Tiranë. Kuvendi i ka dërguar shkresën e njoftimit të Komisionit. Punonjësi i postës që ka shkuar në banesë, sipas procedurës së Postës, na njofton se personi është larguar jashtë shtetit. I kërkojmë policisë që të hartojë shkresën, dhe të bëhet sjellja me forcë e këtij dëshmitari të rëndësishëm.

Hamza Merxhani, dëshmitari tjetër, edhe ky rezulton të jetë larguar nga Shqipëria. Me të njëjtën procedurë, kërkohet sjellja me forcë e këtij dëshmitari”, tha Balla, ndërsa depozitoi edhe disa shkresa, të cilat sipas tij implikonin Nuel Kalan në çështjen në fjalë.

Sipas Ballës, bëhet fjalë për disa e-maile, ku përmendet ish-Kryeministri Sali Berisha.

“Duam të depozitojmë disa prova shkresore, emaile që dëshmitari Nuel kalaj, ka komunikim me drejtues të CEZ në Shqipëri dhe në Pragë. Duhet të marrim masa të bëjmë përkthimin zyrtar, dhe të noterizuar, pasi do të jetë objekt referimi në raportin përfundimtar të Komisionit.

Për shkak të informacionit shumë të vyer të mbledhur në këto emaile, ne hedhim dritë në objektin e hetimit të këtij komisioni. Emailet mbajnë data të ndryshme, 2008, 2009, 2010. Sot depozitoj një pjesë të tyre. Emailet tregojnë se Kalaj ka patur komunikim me drejtues të CEZ, aty përmend edhe drejtues të lartë, siç janë ish kryeministri në atë kohë, Sali Berisha, ish-ministrisë i Ekonomisë dhe Energjisë.

Po ju lexoj një email që mban datën 28 janar 2010, “Takimi me të birin është shtyrë për nesër pas ardhjes së PM (shkurtimi për Primeminister, kryeministër). Mbrëmë kam shtrënguar duart me KM, më tha që është i kënaqur që do të takoheni”.

Ky njeri po i shmanget drejtësi, asnjë parti politike mos ta marrë në mbrojtje. Nëse dikush ka kontakte me të ta njoftojë të vijë në këtë komision”, theksoi deputeti socialist.
Deri më tani, në komisionin në fjalë kanë dhënë dëshmitë e tyre mjaft dëshmitarë, përfshi edhe ish-Kryeministrin Berisha si edhe atë aktual Edi Rama. /Albeu.com/
Shtuar më 16/01/2017, ora 11:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori