Sejdiu: Shpallja e pavarësisë në koordinim me bashkësinë ndërkombë
Albeu.com
Nuk do të ketë vendim për statusin e Kosovës në fund të mandatit të treshes ndërkombëtare, e kjo nuk pritet të ndodhë as menjëherë pas 10 dhjetorit, siç janë zotuar disa herë anëtarët e Ekipit të Unitetit.Presidenti Fatmir Sejdiu e arsyetoi këtë me kohën që do të marrë shqyrtimi i raportit të treshes nga ana e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun dhe konsultimeve të nevojshme të tij.
Pas takimit me ministrin e jashtëm të Irlandës, Dermot Ahern, sot në Prishtinë, Sejdiu vlerësoi se është më mirë që shpallja e pavarësisë së Kosovës të bëhet në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, duke e lënë nën hije mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë.
Ndërsa, diplomati irlandez Dermot Ahern tha se Kosova është një çështje shumë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, duke thënë se BE-ja duhet të ketë qëndrim unik rreth statusit të saj. Për këtë arsye ai kishte ardhur në Kosovë për t’u informuar drejtpërdrejt për procesin e statusit, në mënyrë që Irlanda të mbajë një qëndrim të saktë dhe të drejtë për Kosovën pas përfundimit të misionit të treshes.
"Dua të them se do të dëshironim që Ballkani Perëndimor të jetë një vend stabil, duke e ditur faktin se ka një perspektivë evropiane që ne e mirëpresim dhe duam që të sigurohemi se do të ecë përpara në një mënyrë pozitive. Do të ketë vendime të rëndësishme në BE dhe ne duhet të informohemi mirë në mënyrë që t'i marrim vendimet e duhura që do të ishte në të mirë të popujve të rajonit në përgjithësi", tha Ahern .
Duke folur për procesin e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti Fatmir Sejdiu hodhi poshtë edhe njëherë tezën se bisedimet do të mund të kishin më shumë efekt, në qoftë se ato do të mbaheshin në Prishtinë apo në Beograd.
“Për ne është qasje shumë e hershme shumë e studiuar mirë dhe shumë e efektshme që këto të bëhen në radhë të parë me ndërmjetësimin ndërkombëtar, sepse çështja e Kosovës është problem ndërkombëtar. Dua t’ju them se një kërkesë apo një lojë të tillë e ka luajtur Serbia gjatë kohë, por ne nuk e kemi pranuar asnjëherë”, theksoi Sejdiu.
Ndërkaq, në një takim të veçantë të Ekipit të Unitetit me zëvendësministrin e jashtëm të Italisë, Famiano Crucianelli, u konfirmua edhe një herë mbështetja e qeverisë italiane për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Udhëheqësi i ekipit, presidenti Sejdiu tha se garanci kanë marrë edhe gjatë vizitës së ekipit në Romë, në Lisbonë dhe në Berlin. (rtk)
Shtuar më 09/11/2007, ora 23:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori