Sejdiu ngushellon familjen Velia
Albeu.com
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se vdekja e pronarit të Korporatës VEVE dhe të TV ALSAT, z. Vebi Velija është një humbje e madhe për biznesin dhe median shqiptare.Kreu i shtetit të Kosovës ka përkujtuar rolin që TV ALSAT ka luajtur gjatë viteve të fundit në procesin er pavarësimit të Kosovës, duke thënë se nën drejtimin e tij, ky televizion ka dhënë kontribut të veçantë në arritjen e synimit të shqiptarëve të Kosovës për shtet.
“Është një dhembje e madhe humbja e z. Vebi Velija që ka qenë një ndër personalitetet e rëndësishme të biznesit për një periudhë të gjatë kohore dhe mendoj përmes biznesit të tij ai ka ndihmuar shumë procese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në të njëjtën kohë ka qenë një person që i ka dhënë peshë të veçantë fjalës së lirë, mediave dhe drejtpërdrejt TV ALSAT i cili ka një shtrirje të mirë në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Maqedonisë. Është një televizion me respekt të veçantë dhe mendoj është pikërisht kontribut i zotit Vebi që të japë kontributin e tij të drejtpërdrejtë dhe të parezervë edhe në këtë fushë.
Unë dua të theksoj se kam pasur raporte jashtëzakonisht të mira me të që në kohën kur ka bërë investime të bizneseve në Republikën e Shqipërisë duke ndihmuar edhe proceset demokratike por edhe zhvillimin e vendit pas një situate të vështirë që kishte hyrë Shqipëria dhe në periudha të mëvonshme kemi pasur kontakte të herëpashershme duke respektuar gjithmonë qasjen e tij për të pasur shtëpia informative ku ai ka qenë pronar, TV ALSAT, një vështrim korrekt për zhvillimet që kanë qenë për ngjarjet ditore por edhe për zhvillimet tjera.
Në këtë kuadër dua të veçoj posaçërisht përkushtimin e TV ALSAT që ishte kontribut dhe insistim i drejtpërdrejtë i z. Velija për të pasur gjithmonë çdo të hënë, në kohën e përfundimit të statusit të Kosovës apo gjatë kohës së negociatave, kur gjithmonë tema themelore bosht i kushtohej Kosovës. Pra kishte mundësinë që të zgjedhë mysafirë të shumtë, personalitete kyçe të jetës politike dhe shtetërore, vendore por edhe ndërkombëtare dhe me analizat e shumta që njerëzit i kanë ofruar përmes TV ALSAT mendoj se kanë ndihmuar drejtpërdrejt edhe proceset që ne kemi pasur para vetes.
Dua të ndaj edhe një herë dhembjen me familjen e tij, t’u shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e një personaliteti të rëndësishëm dhe më të dashurit të tyre, por njëkohësisht edhe një personalitet që vërtetë ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme për Kosovën, flas sidomos në fushën informative”, ka thënë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Shtuar më 16/05/2009, ora 20:22
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori