Sejdiu: Kosova nuk pse të pres për zgjedhjet e tjetërkujt
Albeu.com
“Nuk kemi asnjë arsye që të presim zgjedhjet e tjetërkujt për të arritur deri tek zgjidhja e statusit të Kosovës”, ka thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në intervistën dhënë Radios "Evropa e Lirë".Z. Sejdiu tha se puna e palës kosovare gjatë gjithë këtij procesi ka qenë serioze dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, madje në disa raste edhe përtej tyre.

Lidhur me çështjen e Mitrovicës, z. Sejdiu tha se është inkurajues qëndrimi i vazhdueshëm dhe i prerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe i Grupit të Kontaktit, që integriteti i Kosovës nuk mund të cënohet në asnjë mënyrë, funksionaliteti i Kosovës nuk mund të cënohet poashtu dhe nuk mund të ketë aspekte të tjera që do ta prishin cilësinë e funksionimit si shtet unitar. Pyetjes se nëse do të shtyhet data e finalizimit të statusit, presidenti Sejdiu ju përgjigj se “Është një insistim normal dhe është një insistim edhe i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe i faktorëve të tjerë të Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim ne do të angazhohemi që të mos shtyhet procesi, të jetë një proces që në fazën tjetër natyrisht se do të ketë edhe shumë punë për të bërë. Ju e dini kërkesën tonë që të shkohet me një prani civile ndërkombëtare në Kosovë dhe me praninë e trupave të NATO-s. Çështja e pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, sipas bisedimeve që kemi pasur deri tani me faktorin ndërkombëtar, do të jetë një precizim apo më mirë të themi përcaktim i përbashkët edhe me faktorin në Kosovë. Dhe në këtë drejtim do të jetë edhe një periudhë e transmisionit të pushteteve, posaçërisht nga UNMIK-u në organet e Kosovës.”.

Zoti Sejdiu tha gjithashtu se pala kosovare ka qenë tepër gjenerozë duke ofruar zgjidhje të cilat mund të mos jenë pjesë të praktikës ndërkombëtare. “Ta zëmë rastin e përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës, ne kemi lejuar mundësinë e garantimit të vendeve për komunitetet pakicë, dhjetë prej tyre do të jenë të garantuara për komunitetin pakicë serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet tjera pakicë. Dhe kjo nënkupton se ne në një farë mënyre kemi dhënë një shans edhe kushtetuese në këtë bazë dhe me garancione ndërkombëtare se ata, edhe po qe se nuk do të merrnin pjesë në proceset zgjedhore, që do të ishte varianti më i keq, atyre do t’u garantohet pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë në parlament.” shtoi ai.
Shtuar më 08/10/2006, ora 02:03
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori