Sejdiu: Kosova eshte pavaresuar nga nje shtet qe me nuk ekziston
Albeu.com
Kosova nuk do t’i harrojë kurrë tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, Kosova është e vendosur të shikojë kah e ardhmja për të mirën e qytetarëve të saj, për të mirën e gjeneratave të ...... ardhshme dhe të të gjithë popujve të rajonit, ka thënë presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

***

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Malajzi, me ftesë të kryeministrit të Malajzisë, Dato’ Sri Najib Tun Abdul Razak, mbajti të mërkurën një fjalë para pjesëmarrësve të Forumit Ekonomik Islamik Ndërkombëtar, në të cilin po marrin pjesë edhe shumë liderë shtetesh të Organizatës së Konferencës Islamike, të vendeve të tjera të Azisë si dhe përfaqësuese të tjerë nga mbarë bota.

Presidenti Sejdiu tha se më 17 shkurt 2010 Kosova kremtoi dyvjetorin e pavarësisë, e cila është dita më sublime dhe më madhështore në historinë e Kosovës.

“Ajo shënon realizimin e një ëndrre të madhe të popullit të Kosovës për të qenë i lirë, pas një shekulli robërie të rëndë nën pushtimin e Serbisë, e cila kulmoi sidomos në dekadën e fundit të shekullit XX, kur lëvizjes sonë paqësore për liri, pavarësi e demokraci, Serbia iu përgjigj me politikën e tokës së djegur dhe të spastrimit etnik e të krimeve kundër njerëzimit, duke mos përjashtuar gra, fëmijë e pleq”, tha presidenti Sejdiu dhe shtoi e në fund të viteve të 90-ta, duke parë se agresioni brutal i Millosheviqit kundër popullit të Kosovës s’mund të ndalej vetëm me veprime politike, vendet e NATO-s u bashkuan në luftën e përbashkët për ndaljen e spastrimit etnik dhe krimeve kundër njerëzimit që po ndodhnin mu në mes të Evropës.

Precedenti më tej kujtoi ndërhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe, depërtimin e më shumë se një milion shqiptarëve nga vendete tyre dhe përfundimin luftës.

“Kosova nuk do t’i harrojë kurrë tragjeditë e tmerrshme që ka përjetuar nën pushtetin e dhunshëm të Serbisë. Megjithatë, Kosova është e vendosur të shikojë kah e ardhmja për të mirën e qytetarëve të saj, për të mirën e gjeneratave të ardhshme dhe të të gjithë popujve të rajonit”, tha Sejdiu.

"Edhe në negociatat e sponzoruara nga Kombet e Bashkuara, të mbajtura në Vjenë, të cilat i pati udhëhequr fituesi i çmimit Nobel për Paqe, ish-Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, si i Dërguar i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Kosova i ofronte Serbisë fqinjësi të mirë e bashkëpunim të ndërsjellë, por Serbia refuzonte kategorikisht çdo zgjidhje, çdo marrëveshje që nuk bëhej sipas kutit të saj. Thjesht, Serbia donte një zgjidhje, e cila do t’ia mundësonte asaj sundimin e Kosovës, thuajse në Kosovë nuk kishte ndodhur asgjë", tha ai.

Ai shpjegoi se, pasi nuk u la asnjë gur pa u lëvizur, u bë e qartë se një marrëveshje e negociuar nuk mund të arrihej.

“Ndaj, presidenti Ahtisaari propozoi pavarësi për Kosovën. Porse, Serbia përsëri insistoi për vazhdim të negociatave dhe një treshe ndërkombëtare u autorizua nga Grupi i Kontaktit për t’i udhëhequr bisedimet e reja, por edhe kjo përpjekje e fundit përfundoi pa sukses. Kësisoj, më 17 shkurt 2008, përfaqësuesit e popullit të Kosovës shpallën njëzëri Deklaratën e Pavarësisë, nëpërmjet së cilës ata u zotuan se Kosova do të jetë një shtet demokratik dhe shumetnik, në të cilin të gjithë qytetarët do t’i kenë të garantuar të gjitha të drejtat e tyre individuale dhe etnike, kulturore e shpirtërore”, shtoi ai.

Ai pohoi se gjatë kësaj periudhe mbi dyvjeçare të funksionimit të saj si shtet sovran dhe demokratik, Republika e Kosovës është dëshmuar si një faktor i rëndësishëm i paqes, i stabilitetit dhe i prosperitetit në rajon.

“Kosova është bërë nxitëse aktive e marrëdhënieve të mira dhe e bashkëpunimit intensiv me vendet e rajonit. Me kënaqësi mund t’ju them se ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me vendet tona fqinje, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë, po edhe me vende të tjera të rajonit, si me Turqinë, Slloveninë, Kroacinë, Bullgarinë dhe të tjera”, tha Sejdiu.

Ai i njoftoi të pranishmit se pavarësia e Kosovës është njohur nga 68 vende demokratike anekënd globit dhe ky proces i njohjeve po vazhdon dhe priten njohje te reja në të ardhmen.

Ai u kërkoi të pranishmëve në konferencë, që vendete tyre të investojnë në Kosovë, ku mundësitë për afarizëm të suksesshëm janë të shumta.

“Republika e Kosovës ka vend qendror në rajon dhe ka ndërtuar një legjislacion shumë modern, në përputhje të plotë me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare. Ky sistem u garanton investitorëve siguri të plotë për investimet e tyre. Për më tepër, janë instaluar Standardet Ndërkombëtare për Raportim Financiar. Për investitorët e jashtëm ofrohen tatime shumë të ulëta dhe lehtësi administrative që i ofrojnë bizneseve mundësitë më të mira në Evropën Juglindore. Sistemi shumë modern i telekomunikacionit dhe sistemi stabil bankar janë po ashtu një avantazh”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ai u kujtoi të pranishmëve se Kosova ka burime të pashtershme minerale, sidomos me plumb, zink dhe thëngjill, por edhe me ar dhe argjend, kurse rreth 40 për qind e rezervave të linjitit të të gjithë Evropës gjenden në Kosovë, që paraqet një mundësi shumë të mirë për investime në fushën e energjisë.

Në fund presidenti i Republikës Fatmir Sejdiu, theksoi se Kosova është pavarësuar nga një shtet që më nuk ekziston, nga ish-Federata e Jugosllavisë, e cila është shpërbërë pas luftërave tragjike që shkaktoi Serbia e Millosheviqit.

“Kosova ka qenë element konstituiv i kësaj federate shumëkombëshe. Tashmë shtatë shtete të pavarura janë krijuar në gërmadhat e kësaj federate dhe Kosova është njëri nga këto shtete”, tha Sejdiu.


Takime të shumta dhe lobim në Malajzi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Islamik Botëror në kryeqytetin Kuala Lumpur të Malajzisë, ka zhvilluar takime me shumë liderë të vendeve islamike.

Sejdiu ka mbajtur një fjalë në forumin, ku po marrin pjesë liderë dhe përfaqësues të tjerë të 62 vendeve të botës. Ai po ashtu ka zhvilluar një sërë takimesh zyrtare me liderë të shteteve, në përpjekje për t’i bindur ata që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Republika e Kosovës është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon, duke i bërë të dështojnë të gjitha parashikimet e këqija të kundërshtarëve të pavarësisë së vendit tonë”, ka thënë presidenti Sejdiu, gjatë një takimi të veçantë që pati sot me Sulltanin e Brunejit, Hassanal Bolkiah, transmeton Zyra e Presidentit.

“Kosova është njohur nga 68 vende anekënd botës dhe ne, madhëria Juaj, presim që sa më shpejt që të jetë e mundur ta merrni në konsideratë kërkesën tonë për njohjen e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Sejdiu.

Duke e informuar më detajisht Sulltanin Bolkiah për të kaluarën dhe të tashmen e Kosovës, Presidenti Sejdiu theksoi se populli i Kosovës ka përjetuar tragjedi të mëdha nën pushtimin e Serbisë, porse është i përcaktuar për një të ardhme më të mirë jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

Sejdiu zhvilloi edhe një takim të përzemërt me Presidentin e Maldiveve, Mohamed Nasheed, të cilin e ka falënderuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky vend.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu i ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë homologut Nasheed për angazhimin e tij personal për njohjen e Kosovës nga sa më shumë vende të botës.

“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart gjithë përkushtimin Tuaj për afirmimin dhe njohjen e vendit tonë në botë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shfaqur po kështu gatishmërinë e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.

Në këtë takim, të dy presidentët u pajtuan se është shumë e nevojshme që Republika e Maldiveve dhe Republika e Kosovës t’i avancojnë edhe më shumë raportet e ndërsjella. Ata pohuan gjithashtu se tashmë është koha që të vihen edhe marrëdhëniet diplomatike, me qëllim që bashkëpunimi dhe miqësia në mes dy vendeve të intensifikohen edhe më tej.

Ndërsa, Presidenti i Maldiveve, Mohamed Nasheed e siguroi Presidentin Sejdiu se do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës, sidomos nga vendet e Konferencës Islamike dhe nga vendet e tjera me të cilat Maldivet kanë raporte më të ngushta.

“Ne jemi krenarë që ndër vendet e para të botës islamike e kemi njohur Republikën e pavarur të Kosovës, por ju siguroj që nuk do të ndalemi me kaq, por do të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që Kosova të ketë njohje të reja, të forcohet dhe të përparojë në të gjitha fushat”, tha Presidenti Mohamed Nasheed.

Presidenti Sejdiu në fund të dy takimeve u bëri ftesë të dy liderëve për vizitë në Kosovë. (express/albeu)
Shtuar më 19/05/2010, ora 14:55
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori