Sejdiu i gatshem te takohet me Tadiqin
Albeu.com
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me presidentin e Serbisë, Boris Tadiq, kudo dhe kurdo, por me kusht që ky takim të jetë në cilësinë e presidentëve të dy shteteve të pavarura.
“Këto duhet të jenë bisedime ndërshtetërore, e jo çfarëdo bisedimesh për statusin e Kosovës, për çka edhe flitet vazhdimisht në Beograd. Ne jemi shtet i pavarur”, ka deklaruar Sejdiu në një intervistë për të përditshmen “Jutarnji List”.
Duke thënë se në Beograd për Kosovën flitet si për një problem, Sejdiu ka thënë se ky problem nuk ekziston, por ekzistojnë ato probleme ata që i krijojnë si të tilla në rajon.
”Jemi të gatshëm t’i lëmë mënjanë ato gjërat e tmerrshme që kanë ndodhur, të gjitha ato krime që na janë bërë dhe të bisedojmë hapur dhe në formë të barabartë. Të gjithë ne duhet që me sjelljen tonë t’i kontribuojmë qetësimit të tensioneve në rajon, sepse të gjithë për synim kemi paqen, bashkëpunimin me të gjithë përreth, zhvillimin dhe anëtarësimin në NATO dhe BE”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka vlerësuar se “Serbia e sotme duhet të çlirohet nga barra dhe mbetjet e politikës së Millosheviqit”. Presidenti i Kosovës gjithashtu ka thënë se i vjen keq që Tadiqi nuk ka ardhur në inaugurimin e presidentit kroat, Ivo Josipoviq, duke thënë se ai për këtë gjë nuk ndihet fajtor. “Ardhjen time nuk e kam kushtëzuar”, ka thënë Sejdiu. /rel/
Shtuar më 26/02/2010, ora 18:28
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori