Sejdiu: Ftesen e kam pranuar si vizite zyrtare
Albeu.com
Në lidhje me disa spekulime se vizita e presidentit të Republikës së Kosovës më 28 maj, në Maqedoni gjoja nuk do të ketë karakter zyrtar, presidenti Fatmir Sejdiu tha se në ftesën që ka marrë nga Shkupi bëhet fjalë për një vizitë zyrtare, duke shprehur besimin se vizita do të ketë këtë cilësi.Nëse ndodh ndryshe, ai tha se do të rishikonte qëndrimin e tij rreth kësaj vizite. "Kam pranuar ftesën për vizitë zyrtare të Maqedonisë. E përsëris edhe një herë, për vizitë zyrtare me gjithë cilësinë që duhet të këtë një vizitë zyrtare. Prandaj, protokollet e njërit vend dhe tjetrit janë duke punuar dhe dua të besoj se vizita do të realizohet në këtë cilësi. Çdo qasje tjetër që mund të ketë dhe mund të iluzionojë dikush, absolutisht do të jetë jashtë asaj që ne e kemi në objektiv".

Presidenti Sejdiu përsëriti se është i gatshëm dhe i angazhuar për të pasur raporte më të mira ndërshtetërore me Republikën e Maqedonisë dhe vendet e tjera të rajonit, duke thënë se "ato raporte ndërtohen, ushqehen në kontribut dhe në mirëkuptim reciprok".

"Ne jemi në ecje të komunikimeve të drejtpërdrejta të protokollit të shtetit të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe unë ftesën e kam pranuar si vizitë zyrtare. Unë kam qëndrimin shumë të qartë. Çdo lëvizje nga ajo do të më shtynte të rishikoj qëndrimin tim", nënvizoi Sejdiu. (qik)
Shtuar më 27/05/2009, ora 20:53
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori