Sejdiu dhe Daci: Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur
Pëlqej
Albeu.com
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeparlamentari Nexhat Daci thanë sot se Kosova do të jetë e lirë, e pavarur dhe do ta ketë njohjen ndërkombëtare duke shtuar se kjo do të çonte edhe te stabiliteti i përgjithshëm i rajonit.Këto komente Sejdiu e Daci i bënë duke iu përgjigjur deklaratës së nënkryetarit të Partisë Radikale Serbe, Tomisllav Nikoliç, se nëse do të njihet pavarësia e Kosovës, atëherë Serbia do ta shpallë Kosovën si territor të okupuar të saj.
Kosova ka qenë e okupuar nga Serbia dhe në bazë të vullnetit politik të qytetarëve të saj, ajo asnjëherë nuk ka qenë pjesë e Serbisë. Kështu tha sot presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu duke iu përgjigjur deklaratës së nënkryetarit të Partisë Radikale Serbe, Tomisllav Nikoliç, se nëse bashkësia ndërkombëtare do të njehë pavarësinë e Kosovës, atëherë Serbia do ta shpallë Kosovën si territor të okupuar të saj. Presidenti Sejdiu tha se vullneti politik i qytetarëve të Kosovës është i qartë dhe institucionet e Kosovës do të angazhohen maksimalisht për realizimin e tij.

“Ju e dini se cili është ai vullnet sot që Kosova jetë në realizim të plotë të mëvetësisë së saj, një Kosovë që do të integrohet në strukturat euroatlantike dhe s’kemi nevojë të bëjmë komentet e Serbisë dhe politikës zyrtare të Serbisë, e cila çmendurisht vazhdon atë projekt të filluar të dekadave të mëhershme dhe të arritjes së kulmit të tij në vitet e mëvonshme, në politiken millosheviçiane”.

Kryeparlamentari Nexhat Daci tha se Kosova do të vazhdojë projektin e saj madhor që ka filluar.

“Arkitektet e atij projekti janë në Hagë. Themelet janë rrënuar me luftën çlirimtare dhe me bombardimin e NATO-s prandaj ne e vazhdojmë projektin tonë, siç tha presidenti”.

Sejdiu e Daci thanë se Kosova duhet të punojë dhe të dëshmojë se mund të jetë një subjekt i rëndësishëm stabiliteti në rajon. Ata shfaqen besimin se Kosova do të jetë e lirë, e pavarur dhe se do të ketë edhe njohjen ndërkombëtare.
radio kosova/albeu
Shtuar më 13/02/2006, ora 16:53
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori