Javës tjetër nis testimi i vaksinave ndaj COVID 19

Shkencëtarët në Britaninë e Madhe janë duke punuar intensivisht për zbulimin e një vaksine kundër koronavirusit, dhe prej tyre mbërrin një lajm i mirë: ekspertët shpresojnë që t`i fillojnë provat klinike deri në fund të javës tjetër, raporton BBC.

Sarah Gilbert, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit, tha se askush nuk është imunizuar deri më tani, por ekipit të saj iu dha leja të fillonin rekrutimin e vullnetarëve. Ajo shpreson se testimet klinike do të fillojnë brenda ditëve të ardhshme.

“Ne jemi duke pritur të bëhen testet përfundimtare të sigurisë dhe të jepen miratimet përfundimtare”, i tha ajo BBC-së. Gilbert shtoi se studiuesve i duhet mbështetje nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për përshpejtimin e prodhimit të vaksinës. Deri tani, në këtë vend shënohen 115,314 të infektuar me koronavirusin e ri dhe 15,498 të vdekur.


Shtuar 19.04.2020 11:43