Sedat Shala, "vëllai" i Kevin Kuranji
Albeu.com
Kur u takuan për herë të parë, sulmuesi me origjinë braziliane e prezantoi si vëllain natyral. Sozia e zëvendëson sa herë që futbollisti është i impenjuar.Sedat Shala, 30-vjeçari nga fshati Krakjovë i Komunës së Drenasit, është njeriu që i përngjan më shumë sulmuesit të Shalke 04, Kevin Kuranji. Madje, më shumë të përbashkëta ka me futbollistin e kombëtares gjermane se sa me vëllain e tij. Këtë e konfirmon më së miri fakti se Shala ka kontratë me Kuranjin deri në vitin 2011, duke e zëvendësuar sulmuesin në xhirimet e reklamave sa herë që ky i fundit është i impenjuar. Për gazetën kosovare "Express", Sedati tregoi se kur shkoi për herë të parë në Gjermani, në vitin 2003, njerëzit reagonin sa herë që shkëmbeheshin me të. Në atë periudhë, protagonisti i kësaj historie të pazakontë as nuk e kishte idenë se kush ishte Kevin Kuranji, por pas reagimeve dhe fjalëve të qytetarëve e ka kuptuar se ishte sozia e njërit prej sulmuesve më të mirë të Evropës. "Pasi e pashë në televizor se kush është Kuranji, u binda edhe vetë se i ngjaj pak a shumë. Diku nga viti 2006 dërgova disa fotografi në një kompani dublantësh dhe ata më kthyen përgjigje se nga të gjithë ata që kishin aplikuar isha personi që i ngjasoja më shumë futbollistit", tha "Kuranji kosovar", që ndryshe nga lojtari i Shalkes në Bundesligë, nuk ka origjinë nga Brazili dhe nuk di të luajë futboll. Në vitin 2007 Sedati nënshkroi kontratë si dublant i Kuranjit.

Në një periudhë të mëvonshme, Sedat Shala bën edhe një tjetër hap të madh, pasi kishte arritur të takohej për të parën herë me futbollistin e përfaqësueses gjermane. Sipas tij, këtë takim e kishte ndërmjetësuar një kompani reklamash nga Gjermania. "Së fundmi kam qenë pjesëmarrës në xhirimet e reklamës së Playstation, "FIFA 2009", së bashku me Kuranjin. Aty jam takuar për herë të parë me të dhe ai u befasua aq shumë kur më pa, saqë përpara tifozëve më prezantoi si vëllain e tij. U thoshte tifozëve se tani e tutje autografet dhe fotografitë do t‘i bënin me mua. Kuranji është një person shumë i mirë dhe tepër i qetë", theksoi Shala, i cili jeton në Mynih, ku punon në një firmë vendase si mjeshtër i dyerve dhe dritareve. Ngjashmëria në pamjen e jashtë ka shkaktuar edhe jo pak ngatërresa për kombësinë, pasi njerëzit mendonin se edhe Shala ishte brazilian. "Unë u shpjegoja atyre se jam nga Kosova. Kur u thosha kështu, ata krijonin përshtypjen se edhe Kuranji ishte shqiptar. Në fillim isha i detyruar t‘i njoftoja njerëzit me detaje", tregoi ai. 30-vjeçari tregon se ka xhiruar një video në vendlindjen e tij në Drenas, ku ka qëndruar gjatë pushimeve, se si u prit nga fëmijët e fshatit në vend të Kuranjit. Me këtë incizim, ku paraqitet afeksioni i fëmijëve, ai shpreson ta bindë Kuranjin që një ditë të vizitojë shtetin më të ri të Evropës. Në fund, Sedati tregon se nuk e ka kopjuar sulmuesin, por se ka pasur të njëjtin "look" përpara se ta njihte atë. Madje, deklaroi se nëse Kuranji do të ndryshojë diçka në pamjen e tij, ai nuk ka ndërmend ta "kopjojë", edhe nëse ky veprim i rrezikon kontratën si dublant: "Ky është imazhi im që prej vitit 2001 dhe mjekrën nuk e rrita që të ngjaj me Kuranjin. Nëse ai ndryshon pamjen, unë nuk do ta ndjek, edhe nëse rrezikoj të më prishet kontrata".
Shtuar më 14/09/2008, ora 01:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori