Seanca e parë e Kuvendit drejtohet nga Dokle
Kuvendi i Shqipërisë çel sot zyrtarisht punimet e Legjislaturës së 8-të parlamentare në orën 18:00. Punimet do të drejtohen nga deputeti i PS, Namik Dokle pasi kryeministri Berisha refuzoi duke argumentuar se nuk mund të drejtojë punimet e një Kuvendi, mazhoranca e të cilit erdhi në pushtet me mashtrime globaliste.

Sipas rregulloresKuvendit, fillimisht do të ekzekutohet himni kombëtar e më pas do të bëhet hapja e seancës. Do të jetë Namik Dokle që do të caktojë më pas tre deputetë me moshën më të re që të kryejnë detyrën e sekretarisë së Kuvendit.

Në këtë seancë të parë do të ngrihet edhe Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, i cili, sipas rregullores përbëhet nga 9 deputetë dhe ka dy ditë kohë për të kontrolluar përputhshmërinë me ligjin të mandateve të 140 deputetëve. Ashtu siç dihet bazuar në marrëveshjen PS-LSI, kryetar i Kuvendit do të jetë kreu i LSI-së, Ilir Meta. Në Kuvendin e ri, aleanca e majtë ka 83 deputetë, ndërsa aleanca e djathtë 57 deputetë. Ndër 140 deputetët e kësaj legjislature, 55 ulen për herë të parë.
Shtuar më 09/09/2013, ora 10:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori