Schulz: Mungesa e bashkëpunimit dhe polarizimet dëmtojnë integrimin
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u prit në Bruksel nga Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, me të cilin vlerësuan progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Në këtë takim, Meta shoqërohej edhe nga Ministrja për Integrimin Evropian, Klajda Gjosha. Kryetari i Kuvendit, Meta, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme dhe të pandalur të Parlamentit Evropian ndaj avancimit të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit, duke nënvizuar se kjo perspektivë i shërben paqes e stabilitetit rajonal, dhe veçanërisht sigurisë mbarë-evropiane.

Presidenti i Parlamentit Evropian, z. Schulz, pasi vlerësoi progresin e Shqipërisë në avancimin e saj drejt hapjes së bisedimeve me BE-në, e falenderoi Kryetarin Meta për rolin e tij në shërbim të stabilitetit e dialogut të brendshëm politik si dhe në interes të marrëdhënieve të mira në rajon.

Në këtë drejtim, Schulz theksoi se mungesa e bashkëpunimit politik dhe polarizimet e panevojshme në skenën e brendshme politike shqiptare, dëmtojnë integrimin e vendit.

Meta u shpreh se stabiliteti i vendeve të Ballkanit dhe integrimi i tyre në BE, frymëzon ndryshime thelbësore politike e sociale në secilin vend, ndaj është e rëndësishme që perspektiva evropiane e tërë rajonit të jetë e qartë dhe e sigurt.

Në këtë kontekst, Meta theksoi se Kuvendi do vazhdojë të mbështesë fort e pa vonesa zbatimin e reformës kyçe në drejtësi, dhe shprehu mirënjohjen për mesazhet inkurajuese të Presidentit Schulz gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë si dhe për kontributin e vyer të eurodeputetëve Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, të cilët kanë qenë instrumentalë në inkurajimin e konsensusit dhe dialogut politik në Shqipëri, në mbështetje të reformës në drejtësi dhe ligjit të dekriminalizimit.

Në përfundim, z. Meta dhe z. Schulz biseduan për thellimin e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian, duke vënë theksin në mbështetjen, që u duhet ofruar të rinjve shqiptarë në rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale dhe në eksperiencën që mund të përfitojnë në institucionet e Parlamentit Evropian.

Kryetari Meta nënvizoi se Shqipëria “mbështetet në përkrahjen tuaj dhe të Parlamentit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të tërë Ballkanit”. /albeu.com/
Shtuar më 07/12/2016, ora 11:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori