Schockenhoff: Të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Pëlqej
Nëkryetari parlamentar i CDU/CSU së Merkel, Andreas Schockenhoff shprehet se Shqipëria duhet të punojë fort me reformat për të arritur objektivin final, hapjen e negociatave.

Duke folur për mediat, pas një takimi me kreun e PD-së Lulzim Basha, Schockenhoff, tha se integrimi europina është një çështje kombëtare dhe si e tillë duhet kontributi i të gjithëve.

“Sigurisht që marrja e statusit do të thotë që duhet vazhduar lufta për modernizimin e vendit. Duhet punuar vazhdimisht për të arritur objektivat deri në hapjen e negociatave dhe arritjen e objektivit final, e kam fjalën këtu për luftën për shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit, etj. Unë do të thoja se afrimi drejt Bashkimit Europian nuk është një çështje e vetëm një partie të vetme, por është një çështje e gjithë shqiptarëve që duhet të punojnë bashkarisht për këto dhe për të mirën e vendit të tyre. Për këtë është krejt e qartë dhe e dosmosdoshme që krejt demokratët, kur bëhet fjalë për një debat politik, të respektohen rregullat e lojës dhe të punojnë të gjithë bashkë për qëllimin e përbashkët” tha ai.

Schockenhoff tërhoqi vëmendjen për respektimin e institucioneve të pavarura. Sipas tij kur Gjykata Kushtetuese merr vendime nuk ka më vend për debat dhe për diskutime politike, ato duhen respektuar dhe duhen zbatuar.

“Të gjithë institucionet e pavarura duhet të punojnë, të jenë të pavarura dhe ato të respektohen nga të tjerët. Sigurisht që Kushtetuta rregullon të gjithë veprimet, bashkëpunimin se si duhet të punohet, dhe me këtë e kam fjalën që kur Gjykata Kushtetuese merr vendime nuk ka më vend për debat dhe për diskutime politike, ato duhen respektuar dhe duhen zbatuar. Sigurisht që në debatin parlamentar ekzistojnë rregulla që të gjithë të respektohen, liritë e të shprehurit të mendimit, të gjithë duhet të punojnë bashkë, dhe jo ata të pengohen me dhunë për të shprehur mendimin e tyre. Kjo duhet të reflektohet edhe më tej” vijoi me tej ai.

Duke u ndalur në bashkëpunimin mes CDU dhe PD-së, deputeti gjerman tha se grupet parlamentare do të ngrenë grupe pune për të vijuar bashkëpunimin me projekte konkrete.
Ndërkaq ai bëri me dije se e ka ftuar Bashën të marrë pjesë në konkresin e partisë së CDU që do të zhvillohet në Keln në Dhjetor. /albeu.com/
Shtuar më 05/09/2014, ora 09:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori