Samiti i Ohrit 2008 - Në shtëpinë evropiane ka vend për të gjithë
Albeu.com
nga Mehmet LatifiNë Shtëpinë evropiane ka vend për të gjithë që janë të gatshëm t’i ndajnë vlerat dhe përgjegjësitë e përbashkëta demokratike, ndërsa pjesëmarrja juaj në samit do të paraqet sinjal të qartë dhe të fuqishëm...
Në Shtëpinë evropiane ka vend për të gjithë që janë të gatshëm t’i ndajnë vlerat dhe përgjegjësitë e përbashkëta demokratike, ndërsa pjesëmarrja juaj në samit do të paraqet sinjal të qartë dhe të fuqishëm deri te qytetarët e vendeve tona se procesi i bashkimit të Evropës vazhdon, theksoi presidenti Branko Cërvenkovski duke iu drejtuar pjesëmarrësve në Samitin e 15-të të presidentëve të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, që të premten dhe të shtunën mbahet në Ohër.
“Sfidat e rrugës drejt të ardhmes së përbashkët do t’i mbizotërojmë së bashku, me solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë”, tha presidenti i Maqedonisë. Ai theksoi se përcaktimet strategjike të Maqedonisë janë integrimi në NATO, për plotësimin e së cilës, siç tha gjatë tri viteve të kaluara kemi investuar shumë përpjekje dhe energji.
Kryeministri Nikolla Gruevski theksoi se vendet e Evropës Qendrore janë miq të dëshmuar të Maqedonisë. “Në sfidat e shekullit 21 mund të përgjigjet vetëm në mënyrë të përbashkët dhe të organizuar”, tha Gruevski. Sa i përket integrimit evropian dhe euroatlantik, ai theksoi se për Maqedoninë, përcaktimi për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) nuk ka alternativë.
Presidenti turk Abdulla Gjyl, i cili është edhe mysafir special i Samitit, në fjalimin para kolegëve të tij tha se rajoni i Evropës Juglindore do të jetë stabil me integrimin në BE dhe në NATO. “Nuk dyshoj se porosia jonë për një Evropë të bashkuar prej këtu nga Ohri, nga vetë zemra e Ballkanit, do të prekë deri te popujt evropianë”, theksoi Gjyl.
Sipas presidentit shqiptar Bamir Topi, orientimet euroatlantike të vendeve nga rajoni ndihmojnë në përshpejtimin e reformave ekonomike. “Kjo është mënyra më e shpejtë e sigurimit të zhvillimit të qëndrueshëm për vendet tona, për rajonin dhe për Evropën”, tha Topi, duke shtuar se Shqipëria përparon shpejtë në rrugën e saj drejt inkuadrimit në BE.
Tema në të cilën të premten në Ohër do të diskutojnë 17 presidentët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore është “Së bashku në ardhmërinë, sfida nga zgjerimi i BE-së”.
Për sfidat nga zgjerimi i BE-së do të flasin presidentët të Shqipërisë, Kroacisë, Moldavisë, Bullgarisë, Çekisë, Malit të Zi, Serbisë, Austrisë, Ukrainës, Polonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Rumania dhe Italia do të përfaqësohen në nivel ambasadorësh. (lajm)
Shtuar më 03/05/2008, ora 20:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori