Salihu premton trafik funksional
Albeu.com
Kandidati për Prishtinë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Astrit Salihu i ka vazhduar aktivitetet e tij parazgjedhore para Pallatit të Rinisë, duke kritikuar kryetarin aktual për kaosin e krijuar në trafik, ndërsa ka premtuar se nën qeverisjen e tij do të ketë riorganizim komplet të trafikut urban në Prishtinë.
Gjatë aktiviteteve të ditës së hënë, Salihu është fokusuar në trafikun urban të kryeqytetit, për çka edhe me spote televizive e ka kritikuar qeverisjen aktuale të Isa Mustafës për dështim.

Pretendenti për të parin e komunës theksoi se me qeverisjen e tij, do të ketë riorganizim komplet të komunikacionit në Prishtinë, duke bërë modernizim të nyjeve semaforike dhe kufizim të kohës për qarkullimin e automjeteve me peshë të rëndë.

“Siç e dini sot instancat e vogla kalohen me minuta të gjata. Ne do të ofrojmë një skenarë të riorganizimit komplet të komunikacionit, duke filluar prej modernizimit të nyjeve semaforike shumë të rëndësishme, kombinimit të tyre, thjeshtë krijimit të brezit të gjelbër me të cilin nuk do të ketë ndalesa ose do të reduktohen krejtësisht ndalesat. Pastaj mjetet me pesha të rënda do të kenë vetëm kohën e caktuar dhe të kufizuar të lëvizjes nëpër qytet, për të mos u ngarkuar komunikacioni dhe trafiku”, ka thënë Salihu.

Me tej, ai tha se përmes riorganizimit do të arrihet që Prishtina nga një vend jofunksional të kthehet e të bëhet funksionale.

“Me strukturimin tjetër të trafikut, të transportit urban do të krijomë një qytet shumë më funksional dhe një komunikacion funksional. Prishtina sot nuk funksionon, andaj ne do ta bëjmë funksionale”, theksoi ai. (kosovapress)
Shtuar më 27/10/2009, ora 01:13
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori