Saimir Tahiri: Si do të shiten makinat e konfiskuara në ankand ose për skrap
Ministri i Brendshëm,Saimir Tahiri ka nxjerrë udhëzimin e ri për shitjen e makinave të konfiskuara.

Sipas udhëzimit të ri të siguruar nga Portali Albeu, rezulton se makinat në gjenje të mirë teknike dhe që nuk janë përfshirë në ngjarje kriminale do të shiten në ankand. Pjesa tjetër që është tepër e amortizuar ose që nuk arrin të shitet do të përfundojë për skrap.

Udhëzimi
Ministri Tahiri udhëzon Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit si përgjegjëse për marrjen e masave të nevojshme për pranimin dhe marrjen në dorëzim të automjeteve dhe motomjeteve që kalojnë në Rezervat Materiale të Shtetit si pasojë e konfiskimit (më poshtë mjetet e konfiskuara).

Mjetet e konfiskuara nga Policia, do të pranohen dhe merren në dorëzim së bashku me dosjen respektive të secilit mjet përgatitur nga Policia sipas rregullave të caktuara për këtë qëllim, pranë ambienteve të drejtorisë rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit që korrespondon me territorin përkatës, me procesverbal për secilin mjet, të nënshkruar respektivisht nga përfaqësuesit e Policisë dhe të Rezervave Materiale të Shtetit.

Komisioni për kategorizimin e mjeteve, duke marrë për bazë këto kritere: viti i prodhimit; kilometrat e përshkruar; gjendja teknike e motorit; normat e harxhimit të karburantit për 100 km; gjendja teknike e pjesëve xhenerike; sistemin elektrik; pamja e jashtme e mjetit dhe tapiceria, vendos për:

a) mjete motorike që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim;
b) mjete motorike që do të administrohen në skrap, duke përcaktuar njëkohësisht edhe peshën fizike respektive.

DPRMSH-ja i dërgon Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana listën e mjeteve të kategorizuara për qarkullim me numrat e shasisë për konfirmim, nëse mjeti është në kërkim. Në rast se mjeti nuk rezulton në kërkim, u nënshtrohet procedurave të shitjes me ankand publik. Në rast se mjeti rezulton në kërkim, vijon gjendje pranë Rezervave të Shtetit për procedura të mëtejshme.

Lista e mjeteve motorike që plotësojnë kushtet teknike për qarkullim, që do të shiten me ankand, së bashku me të dhënat përkatëse, për vitin e prodhimit, markën dhe modelin, i dërgohet nga DPRMSH-ja zyrës doganore më të afërt, e cila përdor si burim informacioni buletinet që pasqyrojnë çmimet e shitjes në tregjet evropiane.

Vlerës së dërguar nga zyra doganore i zbritet 50% si koeficient amortizimi për shkak të përdorimit të mjetit.
Vlera e mbetur është vlera e mjetit të kategorizuar për qarkullim, e cila do të jetë dhe vlera fillestare e ankandit. Të ardhurat kalojnë në buxhetin e shtetit. /Albeu.com/
Shtuar më 24/03/2014, ora 23:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori