Saimir Tahiri i "trodhi" të gjithë
Pëlqej
Saimir Tahiri dukej tërësisht i shkatërruar mbrëmë përballë Blendi Fevziut. I braktisur nga të majtët dhe i dorëzuar nga shefi i tij Rama, Tahiri dukej se nuk kishte rrugë tjetër mbrëmë veç se të bëntë atë që bëri: Të kërcënonte se nëse e linin të "mbytej" do të tërhiqte edhe të tjerë me të, shkruan Albeu.com.

Duket se Tahiri ia arriti të japë mesazhin e duhur tek personat e duhur dhe çdo gjë ndryshoi krejt papritur në mëngjes pas mbledhjes urgjente të Ramës më ministrin e Brendshëm dhe anëtarët socialistë të Komisionit të Mandateve.

I pari që tregoi se çdo gjë kishte filluar të ndryshonte për Tahirin ishte pasardhësi i tij, Fatmir Xhafaj teksa tha se prokuroria nuk ka argumente ligjore që t`a fusnin Tahirin në burg, shkruan Albeu.com.

Nga ana tjetër, anëtarët socialist në Komisionin e Mandateve ishin të përgatitur për spektaklin që do të ndodhte dhe këmbëngulnin që mbledhja të bëhej live. Logjika e do që në raste të tilla, të akuzuarit i intereson që çdo gjë të bëhet me dyer të mbyllura duke shmangur kështu publikun, por socialistët bënë të kundërtën duke e ditur se çfarë kishte në dosjen e prokurorëve, të cilët çuditërisht kishin shkuar "të papërgatitur" në komision duke mos mundur të bindin me akuzat e tyre.

Duket se edhe kjo ishte pjesë e skenarit nëse u besojmë teorive të konspiracionit se Tahiri u shpëtua nga Berisha pasi i dha "besën" këtij të fundit.

Me 120 minuta në emision dhe disa takime kokë më kokë apo përmes ndërmjetësve, si edhe disa kërcënimeve të hapura ndaj atyre që ai i quajti "llumi i korridoreve të politikës" Tahiri arriti të detyrojë Ramën që t´a mbarojë publikisht vetëm pak orë pasi e kishte braktisur dhe të urdhëronte bazën socialiste të postonin në rrjetet sociale pro ish-ministrit; i mbylli gojën LSI-së dhe Metës njëkohësisht dhe nxorri nga shinat prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët çuditërisht nuk dinin detaje të dosjes së të akuzuarit "VIP", shkruan Albeu.com.

Shkurt, ish-ministri i Brendshëm, me akses të gjerë informacioni mbi "mëkatët" e të tjerëve, arriti t´ua mbyllte gojën të gjithëve sot. /albeu.com/
Shtuar më 20/10/2017, ora 22:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori