Sa rritën pagat për mësuesit, mjekët dhe infermierët
Komisionet parlamentare në Kuvend janë duke diskutuar mbi projektbuxhetin e vitit 2017. Ministri i Financave Arben Ahmetaj prezantoi dje në Komsionin e Ekonomisë ligjin në fjalë duke theksuar se fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve do të jetë rreth 100 milionë dollar.

"Është buxheti i rritjes së pagave dhe pensioneve. Për herë të parë rreth 100 milionë dollarë me efekt 12¬mujor për rritjen e pagave dhe pensioneve është fondi më i madh i akorduar në buxhet në këto 25 vjet. Fondi i rritjes së pagave vetëm për 2017 me efekt 12¬mujor do të ishte 7.2 miliardë lekë. Pagat për mësuesit janë 36.630 punonjës arsimor që do të fitojnë mesatarisht 10 për qind rritje page në 2017. Paga mesatare bruto për një mësues të shkollës nëntëvjeçare në 2013 ka qenë 61.100 lekë, sot është 64.650 lekë. Ndërsa për një mësues të shkollës të mesme ka qenë 64.100 lekë, në 2013 ka shtuar 68.000 lekë", tha Ahmetaj.

Edhe pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten 10 për qind.

“Për vitin 2017, reforma e ndërmarrë për rritjen e pagave në administratën publike shoqërohet edhe me rritjen e pagave të punonjësve të sistemit shëndetësor publik. Pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten me 10 për qind. Përfitojnë 18.415 personal mjekësor dhe infermierë, nga të cilët 4650 mjekë dhe 13.765 infermierë. Fondi i parashikuar për t’u akorduar është 1.5 miliardë lekë”, tha Ahmetaj.

Qeveria nuk ka bërë rritje pagash që prej vitit 2013 kur maxhoranca në fjalë erdhi në pushtet. Kjo është rritja e parë. /Albeu.com/
Shtuar më 12/11/2016, ora 09:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori