9 zyrtarë në pranga! Si Rama la studion kur u pyet për tenderin: Thashetheme, unë nuk shes kapele! (VIDEO)

Ditën e sotme SPAK organizoi një aksion në Ministrinë e Brendshme ku u vunë në pranga 8 zyrtarë të kësaj ministrie dhe 1 u la në arrest në shtëpie. Ky aksion vjen pas një hetimi të gjatë në lidhje me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, i cili ka kushtuar 2 .8 miliardë lëke buxhetit të shtetit.

Të arrestuar janë:

Edlira Naqellari, ish-drejtoresha e Blerjeve të Përqëndruara në MPB, e shkarkuar nga ministri Bledi Çuçi 8 ditë më parë.

Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerje të Përqëndruara

Fatmir Demneri, anëtar i KVO

Mariglen Buzali, anëtar i KVO

Kreshnik Bejkaj, anëtar i KVO.

Ani Omuri, anëtar i KVO.

Anisa Bogdani, anëtar i KVO.

Gëzim Mingaj, anëtar i KVO.

Por si ka reaguar kryeministri Edi Rama në lidhje me këtë tender i cili çoi në pranga 9 zyrtar të Ministrisë së Brendshme?

Vetëm 6 ditë para zgjedhjeve, në një intervistë në “Babaramo”, kryeministri Rama ngriti zërin, i quajti akuzat thashetheme, madje dhe u largua nga studioja duke lënë intervistën në mes.

Debati mbi tenderin e uniformave:

Edi Rama: Të lutem shumë se unë s’kam ardhur këtu për kapelen e policëve

Ilir Babaramo: Po flasim për fonde publike, për 24 milionë euro

Edi Rama: Do të them mirupafshim të dashur teleshikues, ta bëj unë rolin tënd dhe të largohem

Ilir Babaramo: Ok, vazhdojmë më tej.

Edi Rama: Jo i dashur, s’kemi si vazhdojmë ne më tej, unë jam kryeministër i Shqipërisë, s’jam këtu për muhabet dhe thashetheme.Të lutem shumë, s’kam ardhur tëkomentoj thashethemet e dynjasë, më bëj pyetje të të jap përgjigje.

Ilir Babaramo: Pse s’janë pyetje këto?

Edi Rama: Po ça pyetje është kjo, kapelja e policit kushton kaq, ça lidhje kam unë, ku hyj unë këtu mor zotëri? Unë jam kryeministër i Shqipërisë, të dielën shqiptarët do të votojnë…Di gjë ti se unë bëj kapele policësh, di gjë ti se unë mbaj kapele policësh? Ku hyj unë këtu? Po flet me shitësin e kapelerisë? Apo po flet me prodhuesin e kapeleve? Se kjo që po bëjmë ne falë teje, kjo është skena e një teatri absurd ku bëhet parodi për gazetarin që merr në intervistë kryeministrin.

Ilir Babaramo: Nejse, e tejkalojmë këtë, ka një shembull. Por ju si piktor psh, a ndiheni mirë për logon e operas. /albeu.com/

 

 


Shtuar 10.07.2021 11:11